Kushte atmosferike të qëndrueshme dhe ditë me diell, parashikimi i motit për këtë të mërkurë Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto ka hedhur poshtë pretendimet e
kompanisë `Belle Air’, që e justifikoi pezullimin e fluturimeve me
bllokimin e llogarive nga shteti.
“Situata është krejt e ndryshme nga sa deklarohet nga kompania `Belle Air`. Edhe tani që flasim, nuk ka asnjë bllokim të llogarive nga asnjë nga institucionet shtetërore të vendit”, u shpreh ministri.
Zoti Haxhinasto tha se vendimi i `Belle Air’ për pezullimin e fluturimeve ishte i papritur për Qeverinë. Sipas tij edhe tani autoritetet janë duke bërë të gjitha përpjekjet për të gjetur zgjidhje për qytetarët.
“Pavarësisht nga këto vendime të kompanisë ‘Belle Air’, misioni përgjegjës për aviacionin civil, që është Autoriteti i Aviacionit Civil, Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës janë duke bërë të gjitha përpjekjet ligjore me qëllim që të lehtësojmë sa mundemi këtë kompani të realizojë detyrimin e saj, që pasagjerët të udhëtojnë në destinacionet për ku kanë prerë biletën”, tha Haxhinasto.
Ndërkohë vetë kompania pretendon të kundërtën. Arbër Xhelo, drejtori ekzekutiv tha në telefon për Top Channel se autoritetet shqiptare nuk po autorizojnë kompaninë italiane “Blue Panorama” me lejet përkatëse për të transportuar qytetarët që kanë rezrvuar udhëtimet me “Belle Air”. Përmes një vendimi për shtyp, kompania bëri të ditur një ditë më parë se do i kompensojë qytetarët përmes dy rrugëve, duke i transportuar nëpërmjet kompanisë “Blue Panorama” dhe përmes rimbursimit me para në dorë.
Vetë kompania thotë se deri në mars janë mbi 52 mijë bileta të rezervuara. Kompania pretendon se do i rimbursojë të gjitha, por qindra qytetarë, të cilët kanë qenë këtë të hënë në zyrat qendrore të saj nuk kanë marrë asnjë zgjidhje dhe janë lënë më mes të rrugës.
Ahmetaj: Kompania u keqmenaxhua
Përmes një intervistë telefonike për Top Channel, Arben Ahmetaj,
ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes flet për
arsyet, që sipas Qeverisë shqiptare, çuan në këtë situatë kompaninë e
fluturimeve ‘Belle Air’.
“Kompania `Belle Air` ka vetëmbërritur në këtë situatë. Qeveria ka qenë shumë fleksibël me situatën e vështirë ekonomike që ka patur vetë kompania, madje disa herë jemi mbledhur me ministrin e Financave, me ministrin e Transportit, nën porosine e Kryeministrit, për të afruar fleksibilitet maksimal ndaj kompanisë, e cila ka një periudhë shumë të gjatë pa likuiditete. Nga informacionet e para, edhe sipërfaqësore, dukej që kishte një keqmenaxhim fondesh, sepse një kompani e cila ka patur 115 milionë euro qarkullim, mbetet papritur pa para dhe kjo ka qenë edhe pyetje e drejtpërdrejtë që Qeveria i ka bërë menaxhimit të kompanisë, se cila është arsyeja që kompania nuk ka para në llogaritë e veta. Gjëja e parë që të vjen ndërmend, nëpërmjet edhe informacioneve që marrim drejtpërsërdrejti duke iu referuar bilanceve të tyre, rezulton që kompania ka bërë investime të këqija jashtë vendit. Ka vend për një hetim për të parë se ku janë devijuar fondet”, thotë ministri Ahmetaj.
Ministri Ahmetaj tregon hapat e ndërmarrë prej tij dhe kolegëve ministra për ta zgjidhur këtë situatë ku ishte futur kjo kompani.
“Qeveria u tregua shumë fleksibël. Unë personalisht i kërkova bankave zyrtarisht në prezencë të kompanisë që t’i ofronin ndihmë “Belle Air”, për t’i ristrukturuar borxhin që kompania ka ndaj bankave dhe sigurisht dhe borxhin në kohë që kompania ka ndaj buxhetit, ndaj administratave tatimore për shkak të mospagimit të taksave dhe të tarifave”, tha Ahmetaj.
Top Channel: Përse Qeveria i bllokoi llogaritë bankare të `Belle Air`?
Ministri Ahmetaj: Ka qenë një moment kur administrata tatimore në bazë të ligjit i bllokoi llogarite përkohësisht në një periudhë dyditore, sepse kompania `Belle Air` rezultonte që mos kishte paguar taksat dhe tarifat me një shumë prej 4.8 milionë eurosh, shuma të pranuara dhe nga kompania, qoftë në komunikim me administratat tatimore, qoftë edhe në komunikim publik apo në komunikim me institucionet e tjera të Qeverisë”.
Zoti Ahmetaj deklaron se për Qeverinë, në një situatë të tillë, marrin prioritet të gjithë ata që kanë rezervuar biletat me këtë kompani.
“Ky ishte edhe shqetësimi kryesor që kishte dhe ka Qeveria. Eshtë abuzim nga ana e kompanisë, që duke ditur se nuk do të arrinte të përmbushte dot detyrimet e veta, qoftë ndërkombëtare, qoftë kombëtare, qoftë fiskale të vazhdonte të pranonte rezervime. Qeveria është duke menduar se cila do të ishte alternativa. Sigurisht një prej tyre mund të ishte zgjerimi i veprimtarisë së kompanive të tjera ajrore që janë tashmë në Shqipëri për të mbuluar këtë boshllëk që krijon ‘Belle Air’, por sigurisht që kompania ka detyrim të drejtpërdrejtë ligjor, ndaj të gjithë atyre që kanë rezervuar për t’i kthyer paratë mnbrapsht”, tha Ahmetaj.
Top Channel