Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas “Ngjarja e ditës së djeshme tregoi se sistemi i burgjeve është i kalbur, joprofesional, i ndërtuar mbi bazën e emërimeve politike, klienteliste dhe korruptive.”
Këtë konkluzion, ministri i Drejtësisë Nasip Naço e bëri përpara drejtuesve të burgjeve në të gjithë vendin, të cilët i ka thirrur në takim pas ngjarjes së rëndë të arratitjes së shtatë të burgosurve nga institucioni i vuajtjes së dënimit në Drenovë.
Titullari i Ministrisë së Drejtësisë deklaroi se ngjarja çon në nevojën urgjente të reformimit të sistemit të burgjeve: “Është e nevojshme të reformohet ky sistem. Është përgatitur paketa ligjore me ndryshimet në ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve si dhe ndryshime në ligjin për Policinë e Burgjeve që shumë shpejt do të kalojnë në Parlament. Kjo ngjarje evidentoi se sistemi i sigurisë dhe informacionit nuk ka funksionuar çka sjell si domosdoshmëri reformimin tërësor të shërbimit të kontrollit të brendshëm.”
Duke dhënë detaje të planit të arratitjes së të burgosurve të dënuar për vrasje, ministri Naço deklaroi se plani është hartuar prej disa muajsh. Ka qenë ora 18.33 minuta kur të burgosurit qenë duke kryer veprime në klasën e të dënuarve në seksionin e sigurisë së lartë. Ajo që kompromenton rëndë drejtuesit dhe përgjegjësit e sigurisë së këtij burgu është fakti se të burgosurit, sipas ministrit, në momentin që kanë hyrë në klasë kanë qenë të armatosur me dy automatikë dhe dy pistoleta që u janë sjellë nga jashtë, nën kërcënimin e të cilave ata kanë marrë peng forcat e policisë dhe kanë çarë rrethimin e jashtëm, ku ishin duke i pritur bashkëpunëtorët.
Ministri deklaroi se janë marrë masa të menjëhershme duke nisur nga shkarkimi i drejtorit të burgut të Drenovës, Genci Postoli, ndalimin e forcave policore në turn, pezullimin e menjëhershëm të punonjësve të lartë të shërbimit të kontrollit të brendshëm dhe është rritur gadishmëria në çdo burg të vendit me masa të përforcuara.
Kreu i dikasterit të drejtësisë deklaroi se çdo përgjegjës për situata të tilla nuk do të tolerohet, pavarësisht sa i lartë është funksioni i tij: “Ne jemi të vendosur për të vënë para ligjit çdo punonjës të cilët me veprime apo mosveprime krijojnë terren për ngjarje të tilla.”
Top Channel