Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas
Forcat RENEA arrestuan tre të burgosurit që ishin arratisur një natë më parë nga burgu Drenovës, në një magazinë në Prrenjas, gjatë një aksioni ku nuk ka patur shkëmbim zjarri.
Të tre të burgosurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, ishin strehuar gjatë natës në një nga ndërtesat e braktisura të stacionit hekurudhor të Prrenjasit. Ata ishin vëzhguar më parë nga forcat operacionale dhe u prit rrethimi nga forcat Renea për të ndërhyrë dhe për të realizuar aksionin policor.
Asnjë rezistencë nuk është bërë nga të kërkuarit, pavarësisht se ishin të armatosur. Ndërkohë që policia sipas gjurmëve që ka ndjekur mendon se tre të kërkuarit e tjerë që bëjnë pjesë në një tjetër grup janë drejtuar për nga Erseka. Të dhënat e para tregojnë se janë pikasur në lëvizjet e tyre dhe është çështje orësh edhe rrethimi nga policia. Deri më tani nuk ka të dhëna se mund ta kenë kaluar kufirin i cili është siguruar me forca të shumta policore.
Policia ka arrestuar edhe një tjetër shtetas në Korçë, i cili dyshohet se ka hedhur një granatë gjatë mbrëmjes së djeshme me qëllim të tërheqë vëmendjen e policisë. Dyshimet bien mbi autorin e kësaj ngjarjeje për shkak se përkon shpërthimi i granatës me daljen nga burgu të shtatë personave me rrezikshmëri të lartë.
Në fokus të kërkimeve janë vënë më shumë fshatrat dhe zonat në afërsi të Drenovës ku edhe ndodhej burgu, pasi nuk kanë mundur dot të largohen më shumë për shkak edhe të përforcimeve të shumta policore që iu afruan juglindjes së vendit.
Aksioni për kapjen e të arratisurve nga burgu shtrihet në zonat e thella të juglindjes. Policia është në kërkim të të arratisurve Eduard Lulo e Reis Haxhiaj, vendndodhja e të cilëve po lokalizohet. Aksioni policor shtrihet në Malin e Gramozit dhe Qafën e Qarrit.
Ndërkohë, Prokuroria e Korçës urdhëroi arrestimin e 21 punonjësve të policisë së burgut të Drenovës. Policët akuzohen për shpërdorim detyre.
Prokuroria ka njoftuar se “vijojnë hetimet për të zbuluar përgjegjësitë e punonjësve publikë në këtë arratisje”.
Top Channel