Arratisja, PD: Shteti ka rënë

24/11/2013 00:00

Partia Demokratike, duke iu referua arratisjes nga burgu i Drenovës, akuzoi qeverinë se ka shthurur rendin, si pasojë e shkarkimeve masive në Policinë e Shtetit dhe emërimit të personave, që kanë lidhje me politikën. Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, e cilësoi këtë si ngjarjen më të rëndë, që ka ndodhur ndonjëherë në burgjet shqiptare.

“Qytetarët europianë dhe ata shqiptarë kanë paguar më shumë se 50 milionë euro në 8 vjet për të ngritur sistemin e sigurt të burgjeve për jetët e tyre dhe të familjeve të tyre. Kështu funksiononte sistemi i mëparshëm i burgjeve dhe i policisë. Jam krenar, thotë ministri i Brendshëm, por për çfarë je krenar zoti ministër? Që qelitë e burgjeve furnizohen me armë, ditën me diell? Që, duke neglizhuar informacionet e oficerëve të policisë, duke mos kryer detyrën e duke e shpërdoruar atë, vutë në rrezik jetët e qytetarëve shqiptarë dhe sigurinë publike? Për çfarë jeni krenar, që vure Policinë e Shtetit në një sprovë të panevojshme, thjesht dhe për shkak të dështimit kapilar të sistemit të ri, korruptiv, që keni ndërtuar në Policinë e Shtetit, dhe të moskryerjes së detyrës që e keni të ngarkuar me ligj për ta bërë? Drejtuesit e sotëm të burgjeve dhe të policisë janë të gjithë të emëruar të rinj në këto poste nga kjo qeveri, dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët. Dështimin e tyre, ministrat Tahiri e Naço nuk mund t’ia faturojnë askujt tjetër përveç pazareve, që kjo qeveri po bën me administrimin dhe menaxhimin e këtyre institucioneve”, ka thënë Eduard Halimi.

Më herët, nga Partia Demokratike, ka qenë zëdhënësja e selisë blu, ajo që ka akuzuar qeverinë.

“Shteti shqiptar ka rënë dje dy herë në harkun e një ore teksa qeveria shtrohet në gosti nëpër restorante luksoze të Tiranës. Shtatë persona të dënuar me burgim të përjetshëm arrijnë të dalin të armatosur nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Kjo është rënia e parë e shtetit”, deklaroi Silvi Bardhi. “Rreth një orë më vonë, të arratisurit arrijnë të çajnë me forcë një postbllok të policisë të ngritur në Pogradec enkas për ndalimin e tyre. Ky është rrëzimi i dytë i shtetit. Rënia e institucioneve të zbatimit të ligjit të Policisë së Burgjeve lidhet kryesisht me keqqeverisjen dhe me faktin se emërimet në detyrat dhe në postet kyçe janë bërë sipas llogarive financiare dhe elektorale. Kjo është situata ideale për krimin dhe situata më e keqe për qytetarët. Kjo është qeveria ideale për krimin dhe qeveria më e keqe për qytetarët.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB