Fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2013, zyrtarisht fillon të hënën më 25 nëntor. Por shoqeria civile në Kosovë konsideron si fushatë të pastër, pjesëmarrjen në debate e takimet me qytetarët nga subjektet politike në vend gjatë ditëve të fundit.

“Kemi një fushatë të pastër politike dhe elektorale që po zhvillojnë shumica e subjekteve dhe them që këto parti duhet t’i japin fund. Duhet të respektohen normat dhe rregullat që ka miratuar Kuvendi dhe KQZ”, thotë Driton Selmani, nga KDI.

Në anën tjetër subjektet politike nuk pranojnë se po bëjnë fushatë.Adem Grabovci nga PDK-ja vlerëson se nuk po bëhet fushatë por sipas tij nëse vërehet diçka e tillë, KQZ-ja duhet të marrë masa ndëshkuese.

“Kjo është kompetencë e KQZ-së dhe unë nuk dua të përzihem, aty ku konstaton që ka shkelje apo mosrespektim të rregullave janë të parapara masat ndëshkuese dhe normalisht ne i respektojmë ato”, tha ai.

Edhe Vjosa Osmani nga LDK-ja thotë se kjo që po bëjnë kandidatët është krejt normale.

“Meqenëse procesi zgjedhor tashmë ka filluar dhe jemi në vazhdën e tij, përkundër faktit që ende nuk është zyrtarizuar nuk ka asgjë që do të duhej t’i ndalonte këta kandidatë që t’i mbajnë kontaktet e tyre me qytetarë”, shprehet zëdhënësja e Shtabit Zgjedhor të LDK-së.

Ndërsa Ardian Gjini nga AAK-ja vlerëson se takimet me qytetarët që po bëhen nuk janë fushatë, derisa nuk mbajnë tubime të mëdha, nuk bëjnë reklama në televizione e të ngjashme.

Armend Shkoza nga Lëvizja Vetëvendosje konsideron shumë brengosëse faktin se kandidatët për kryetar komunash, veçanërisht ata që janë aktualisht në pushtetin lokal, gjatë fushatës po shfrytëzojnë asetet publike dhe me paratë publike që të bëjnë fushatë.

KDI thotë se fushatë jo vetëm që po bëhet në periudhën mes dy raundeve të zgjedhjeve por, sipas tij është bërë edhe me muaj të tërë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Të dielën më 1 dhjetor mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar në shumicën e komunave të Kosovës.

Top Channel