
Zbardhet skema e grabitjes së 45 milionë lekëve të vjetra të biznesmenit
të bananeve, Trifon Murataj, e cila ndodhi dy net më parë në vendin e
quajtur “Ura e Beshirit” në Tiranë.
Burime nga policia bëjnë me dije se grabitësit mund të kenë pasur kontakte me punonjësit e magazinës, sepse informacionet për shumën e parave ishin të sakta, por ende nuk ka asnjë emër apo të dhënë për identitetet e katër grabitësve të maskuar. Gjithçka ka qenë e përgatitur kohë më parë dhe se autorët e krimit kanë qenë duke pritur rastin e volitshëm për të hyrë në sulm. Grabitësit kanë qenë të veshur me rroba të errëta dhe maska të zeza40. Sipas dëshmitarëve ata kanë qenë në moshë të re dhe të bëshëm në trup.
Rreth orës 16:00, automjeti i firmës në pronësi të Trifon Muratajt ka qenë duke dalë nga magazina që ndodhet në Vaqar të Tiranës. Drejtor i departamentit logjistik, Petrit Demishaj, së bashku me një punonjës tjetër të kompanisë të quajtur Bashkim, kanë qenë duke lëvizur nga Vaqari drejt Tiranës, për të depozituar në bankë shumën e parave prej 45 milionë lekësh të vjetra.
Ata kanë ecur vetëm pak metra dhe në momentin kur kanë mbërritur pranë vendit të quajtur “Ura e Beshirit”, tre persona u bëjnë pritë. Ata ishin fshehur në ambientet e brendshme të një godine që ndodhej aty pranë. Të maskuar dhe nën kërcënimin e një arme, ata u bëjnë thirrje punonjësve të kompanisë së importit të bananeve që të ndalojnë makinën. Të ndodhur në një situatë të tillë, drejtuesi i mjetit ndalet, por nuk guxon që të hapë derën. Të irrituar grabitësit u kërkojnë sërish që të hapin derën e makinës, por sërish janë ndeshur në refuzimin e Petrit Demishajt dhe Bashkimit. Si pasojë e kësaj autorët e krimit thyejnë me armë xhamin e makinës që ndodhej nga krahu i drejtuesit të automjetit. Më pas i nxjerrin punonjësit jashtë makinës, u marrin çelësat.
Dy prej tyre u bëjnë kontroll fizik, për të qenë të sigurt se ata nuk kishin me vete armë zjarri. Më pas i godasin me qytat e armëve në pjesën e kokës, duke u shkaktuar edhe plagë. I shtrijnë për tokë duke i kërcënuar se nëse bënin rezistencë, atëherë, do t’i vrisnin. Ndërkaq, personi i tretë, që kishte marrë edhe çelësat e makinës, hap bagazhin, pasi aty ndodheshin paratë, të cilat ishin bërë gati për depozitim. Pasi sigurohet se kishte marrë atë që donte, autorët largohen me një automjet, i cili i priste pak metra larg vendit të ngjarjes. Personi i katërt ndodhej në timon dhe automjetin e mbante të ndezur, për të mos humbur asnjë sekondë kohë. Ata marrin drejtimin e rrugës nga “Ura e Beshirit” drejt Kombinatit. I gjithë aksioni ka zgjatur jo më shumë se një minutë. Të dhunuarit kanë marrë në telefon pronarin e tyre, Trifon Muratajn dhe ky i fundit policinë. Uniformat blu kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të këqyrur skenën e krimit. Ekspertët kanë qëndruar aty përreth 6 orë. Ndërkaq, biznesmeni ka dhënë deklaratë në polici, duke thënë para grupit hetimor se dyshon që grabitësit kanë pasur kontakte nga punonjësit e brendshëm. Si pasojë, e kësaj ai i ka dhënë policisë dy emra të dyshuarish.
Top Channel