Një grup kriminal që merrej me rekrutimin dhe trafikimin me qëllim
prostitucionin e vajzave shqiptare 16-20 vjeçe është goditur gjatë një
operacioni policor të koduar “Ndalesa e fundit”, në qytetin e Durrësit.
Në bashkëpunim me policinë e Korçës, policia e Durrësit ka arrestuar dy persona, mes të cilëve një shtetas bullgar, rezident në Shqipëri, si dhe ka shpallur në kërkim një të tretë. Të arrestuarit janë shtetasi bullgar Tomcho Tomov, 55 vjeç, dhe Alesio Çullhaj, 25 vjeç nga Elbasani. Për arsye hetimi, policia nuk ka bërë ende të ditur emrin e personit të tretë që është në kërkim. Sipas burimeve policore, grupi kriminal rekrutonte përmes mashtrimit për fejesa dhe martesa, vajza të reja nga zona të ndryshme të Shqipërisë, të cilat më pas i detyronin të ushtronin prostitucion në hotelet e Durrësit dhe qyteteve të tjera, për t’i trafikuar më pas drejt Italisë.
Prej disa muajsh agjentët e krimit të organizuar kishin rënë në gjurmë të veprimtarisë së këtij grupi dhe ndjekja e rastit të fundit ka çuar në prangosjen e tyre. Një 20-vjeçare nga fshatrat e Korçës, e celebruar në martesë me shtetasin bullgar Tomov mësohet se është shfrytëzuar për prostitucion në hotele të Durrësit, Gramshit dhe Peqinit dhe disa ditë më parë është tentuar të trafikohet drejt Italisë, por është kthyer mbrapsht nga autoritetet kufitare.
Top Channel