SHBA-Koresë Veriore: Të lirojë turistët

22/11/2013 04:50

Zyrtarë amerikanë kanë bërë thirrje ndaj Koresë së Veriut të “lirojë shtetasit amerikanë”, pas raportimeve të fundit se një veteran 85-vjeçar amerikan është burgosur në vendin komunist.

Merrill Newman, një veteran i luftës koreane, u nxor jashtë një aeroplani nga oficerë me uniformë, në fund të një vizite turistike në Korenë e Veriut, muajin e kaluar, ka bërë të ditur djali i tij.

Zyrtarët amerikanë nuk e kanë konfirmuar në mënyrë specifike këtë ngjarje, por kanë nxitur Korenë e Veriut të “zgjidhë problematikën”.

Një tjetër shtetas amerikan, Kenneth Bae, është burgosur që prej nëntorit të kaluar.

Newman vizitoi Korenë e Veriut së bashku me një mikun e tij në tetor, bëri të ditur i biri, Jeffrey Newman, ditën e enjte.

Vizita turistike ishte organizuar nga një agjent udhëtimi “i aprovuar nga qeveria koreano-veriore për udhëtimet e të huajve”, shtoi ai.

Merrill Newman u nxor nga avioni më 26 tetor, dita e fundit e udhëtimit turistik të tij, në momentin që po përgatitej të largohej nga Korea e Veriut, tha Jeffrey Newman.

Veterani duket se ka diskutuar mbi eksperiencën e tij në luftën koreane me zyrtarë të Koresë së Veriut, një ditë para arrestimit të tij, shtoi i biri.

Top Channel