Serbi-Kinë, pakt për energjitikën

22/11/2013 00:00

Serbia dhe Kina kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjitikës dhe atë të minierave, bëjnë të ditur mediat serbe.

Sipas burimit, marrëveshja parashikon realizimin e një blloku të tretë në çentralin termoelektrik të Kostolacit, në lindje të Serbisë, dhe rritjen e prodhimit nga një minierë qymyri.

Pakti është firmosur në Beograd mes kompanisë shtetërore serbe Elektroprivreda Srbije, EPS, dhe ajo kineze China Machinery Engineering Corporation, CMEC.

Raportohet se marrëveshja në fjalë ka një vlerë prej 715 milionë eurosh. Konkretisht ajo parashikon ndërtimin e një blloku prej 350 megawat, që do të fillojë të prodhojë energji elektrike në fund të vitit 2019.

Gjithashtu, parashikohet një intensifikim i prodhimit të minierës së qymyrit të Drmnos, që do të rritet nga 9 në 12 milionë tonelata qymyri në vit.

Punimet për ndërtimin e bllokut të tretë të çentralit do të nisin në fund të vitit 2014. Në firmosjen e kontratës mes dy kompanive EPS dhe CMEC ishin të pranishëm edhe ministrat serb të Energjitikës dhe Transporteve, Zorana Mihajloviç dhe Aleksandar Antiç.

Më herët gjatë muajit, qeveria serbe përfundoi marrëveshjen me kolosin rus të gazit “Gazprom”, për fillimin e punimeve të gazsjellësit “South Stream” brenda nëntorit.

Duke e konsideruar “South Stream” si një nga investimet më të rëndësishme dhe më të kushtueshme të dekadave të fundit në Serbi, Daçiç ka deklaruar se me këtë projekt Beogradi synon të respektojë afatet e marrëveshjes së energjisë me Federatën Ruse.

Top Channel