Një gjykatë amerikane ka detyruar “Samsung” të paguajë 290 milionë dollarë kundrejt “Apple”, për kopjimin e karakteristikave të “iPhone”-ëve dhe “iPad”-ëve në pajisjet e prodhuara prej tyre.
Vendimi vjen pak kohë, pasi një tjetër vendim i gjykatës shpalli fajtore “Samsung” për shkeljen e të drejtave të autorit ndaj “Apple”, duke iu detyruar kësaj kompanie plot 1,05 miliardë dollarë.
Gjithsesi, gjykatësja Lucy Koh vendosi për një rigjykim asaj kohe, sepse – sipas saj – juria kishte keqllogaritur sasinë e dëmshpërblimit, që “Samsung” duhej të paguante. “Samsung” pritet të apelojë vendimin.
Përmes një deklarate, “Apple” ka reaguar pas vendimit: “Jemi mirënjohës ndaj jurisë, që i tregoi ‘Samsung’-ut se kopjimi e ka një kosto”.
Vendimi i gjykatës ka të bëjë me 13 nga 26 pajisjet e “Samsung”, që sipas “Apple” kanë teknologji të kopjuar të tyren. Pjesa më e madhe e tyre janë tablet-a apo smartphone të tipeve të vjetra.
Shifrat prej 290 milionë dollarë u shtohen atyre të 550 milionë dollarëve, që “Samsung” i detyrohet “Apple”, si rezultat i një vendimi të mëhershëm. Në total, “Apple” do të shpërblehet tashmë me afro 930 milionë dollarë mbi këtë çështje.
Aksionet e “Apple” pësuan një rritje të lehtë në bursa, pas daljes së këtij lajmi, ndërkohë që ato të “Samsung” pësuan një rënie të lehtë, në po të njëjtën ditë.
“Samsung” ka argumentuar se “Apple” nuk duhet të ketë të drejta autori mbi teknologji të tilla që, sipas “Samsung”, kanë të bëjnë me formën bazë të drejtkëndëshit të smartphone-ve.
“Apple nuk zotëron të drejta mbi bukurinë dhe gjërat seksi”, tha avokati i “Samsung”, William Price, gjatë procedimeve të jurisë.
Gjithsesi, juria e kësaj gjykate, që ndodhet vetëm 15 minuta larg selisë së “Apple” në Kaliforni, mendoi ndryshe nga ç’priste “Samsung”, duke i akorduar dëmshpërblime të majme “Apple”-it. Sipas “Samsung”, kompania i detyrohet “Apple”-it vetëm 52 milionë dollarë.
Top Channel