Kancelarja gjermane Angela Merkel ka përgëzuar kryeministrin grek Andonis Samaras gjatë një vizite të tij në Berlin mesditën e së premtes, për progresin që ka arritur Greqia në programin e saj.

Por, në të njëjtën kohë ajo i ka dhënë atij mesazhin se Athina duhet të vazhdojë reformat dhe të mos vonojë dhe zbusë politikat e saj.

“I njoh sakrificat që kanë bërë qytetarët, por Greqia duhej të kryente reforma dhe të arrinte një stabilitet financiar dhe ja tani po shohim dritë në tunel, frytet e para të përpjekjeve të qeverisë greke, siç është arritja e një teprice primare”, ka deklaruar Merkel.

“Kryeministri më përsëriti se Greqia është e angazhuar plotësisht me detyrimet e saj ndaj troikes”, ka vijuar kancelarja.

Nga ana e tij kryeministri Samaras ka deklaruar se Athina ka arritur synimet e saj fiskale dhe pas disa vitesh reçesion do të shtohet fryma optimiste për progresin ekonomik dhe daljen nga kriza.

Lideri grek nuk u është përgjigjur dejtpërdrejt pyetjeve për marrëveshjet ende të panënshkruara me ekspertët e kreditorëve të huaj, që kanë braktisur Athinën për t’u kthyer përsëri në dhjetor, kufiri i fundit kohor sipas zonjës Merkel që Greqia të aprovojë gjithë paketën e masave para se të marrë presidencën e BE-së.

Ndërkohë, pas takimit nuk është mësuar ndonjë hollësi nëse Samaras ka marrë një gjysmë pohimi për synimin e kësaj vizite në Berlin, që sipas mediave greke nuk ishte gjë tjetër veçse reduktimi i borxhit kolosal grek që vazhdon të rritet.

“Kjo mundësi (reduktimi i borxhit) do të bëhet realitet vetëm pasi të kemi në prill të vitit të ardhshëm rezultatet përfundimtare në lidhje me sufiçitin primar. Më pas do të merret një vendim”, ka thënë Samaras.

Samaras do të qëndrojë edhe të shtunën në Berlinin e akullt jo vetëm nga temperaturat, por edhe nga disa artikuj të mediave gjermane ndaj qeverisë së tij, të cilat pasqyrojnë nervozizmin e partnerëve europianë në lidhje me vonesat në programin grek, apo mosmarrëveshjet me Trojkën, pavarësisht arritjeve të bëra nga Athina.

Sipas mediave greke, që ndjekin me interes të jashtëzakonshëm vizitën e tij, ai do të mbajë edhe një fjalim në një konferencë të zhvilluar nga gazeta gjermane “Suedeutsche Zeitung”.

Top Channel