Problemet e rrugës Tiranë-Elbasan

22/11/2013 00:00

Eksperti i aksidenteve rrugore, Gëzim Hoxha, i kërkuar nga Top Channel për të kryer një inspektim të rrugës Tiranë-Elbasan, ka evidentuar problematikat kryesore të saj. Që në nisje, ai ka vërejtur defektet me tabelat e vendosura të cilat nuk pengojnë aksidentet.

“Tabela duhet të vendoset jo më pak se 100 metra largësi, që drejtuesi të marrë masa para se të vijë tek kantieri i ndërtimit. Edhe bordura nuk duket dhe drejtuesit rrezikojnë të përplasen natën. Kjo është një rrugë që duhet të ketë mundësinë që herë të parakalojë njëri krah dhe një herë tjetri. Kështu siç është, drejtuesit mendojnë se mund të parakalojnë të dy krahët”, ka konstatuar Hoxha.

Duke u ndalur tek vendi ku humbi jetën deputetit Sokol Olldashi, eksperti Hoxha ka evidentuar mungesën e sinjalistikës dhe barrierave mbajtëse.

“Këtu duhet të kishte një tabelë që të thoshte se po hyni në kthesë të rrezikshme dhe një tjetër për kufizim shpejtësie. Me 80 km në orë në këtë pjesë dhe në kohë shiu, nga pellgjet e ujërave aty mund të krijohet ideja se rruga është e drejtë. Kështu mund të përfundosh si i ndjeri Olldashi”, ka nënvizuar Hoxha.

Probleme sipas tij ka edhe brenda në tunelin e Krrabës dhe në urat e ndërtuara përgjatë rrugës së re. “Ka një handikap sepse këtu thotë ‘ndalim parakalimi’, por vija është e ndërprerë. Duhet të ishte e pandërprerë. Ky është një element i rrezikshëm. Po të ecësh me 80 km në orë makina mund të ngrihet në ajër. Gjithashtu, këtu nuk janë lënë përmasa për korsinë e emergjencës”, ka vlerësuar Hoxha.

E në fund të inspektimit, eksperti Gëzim Hoxha ka dalë në përfundimin se problemi më i madh i kësaj rruge është mungesa e sinjalistikës, shkaktare për pjesën dërrmuese të aksidenteve që kanë ndodhur prej hapjes së saj për udhëtarët.

“Kjo kërkon urgjent vendosjen e tabelave pasi aksidenti nuk pret derisa të vendoset sinjalistika. Është e nevojshme edhe ndërhyrja për materialet që mblidhen poshtë urave, pasi dëmtojnë gomat e makinave dhe bëhen shkak për aksidente rrugore”, ka shtuar Hoxha.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta