Publikimi i një lajmi për zv.guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, i cili dyshohet se po shantazhohet me një video pornografike, ka dërguar në polici gazetarin e gazëtës online “Express”, Visar Duriçi.

Policia thërriti në stacionin policor gazetarin në fjalë duke kërkuar nga ai që të heqë prej faqes lajmin e publikuar. Për drejtuesit e gazetës “Express”,  presioni i policisë mbi redaksinë dhe gazetarin Duriçi është jashtë cdo norme profesionale.

Kjo, pasi polici hetues i cili është marrë më këtë rast, gjatë marrjes në pyetje nuk kishte qenë në gjendje të thoshte se për cfarë vepre penale dyshohet gazetari, dhe së dyti, përse intervistimi i gazetarit në prezencë të avokatit të gazetës është bërë rreth orës 23 të ditës së enjte.

Sipas gazetës ky rast vërteton edhe një herë degjenerimin e institucioneve kosovare ku njësoj si në sistemet totalitare policia ka të drejtë të thërrasë cilindo gazetar dhe të urdhërojë në mes të natës të paraqitën në zyrat e policisë.

Ndërkohë policia tashmë ka hapur hetimet lidhur me këtë cështje. Vetëm mëngjesin e së premtës, gazetari Visar Duriçi është thërritur nga prokurori si i dyshuar në bazë të veprës penale për fotografim dhe inçizim të paautorizuar.

Por sipas deklarimeve të drejtuesve të gazetës rasti është i paprecedent pasi as gazetari dhe as gazeta nuk kanë bërë asnjë video apo fotografim për rastin në fjalë, por thjesht kanë raportuar se zv.guvernatori i Bankës Qëndrore ndihet i kërcënuar lidhur me një video që sipas gazetës është konfirmuar nga vetë zëvëndësguvernatori, Lulzim Ismajli.

Top Channel