Londër, skllavëria 30-vjeçare e 3 grave

22/11/2013 15:25

Tre gratë e shpëtuara në Londër pas një pengmarrje 30-vjeçare nga një çift britanik jetonin në kushte “çnjerëzore”, raportuan të premten mediat britanike.

Skllavëria e një 69-vjeçareje me origjinë malajziane, një irlandeze 57-vjeçare dhe vajzës së saj 30-vjeçare, të lindur në kushtet e skllavërisë pas abuzimit seksual ka tronditur thellë opinionin britanik, që nuk kishte dëgjuar kurrë për një pengmarrje të tillë kaq të gjatë në kohë.

Dy bashkëshortë 67-vjeçarë u arrestuan si autorë të këtij krimi monstruoz dhe po merren nën hetim nga autoritetet.

Identiteti i tyre për momentin mbahet i fshehtë, ndërsa gratë po asistohen psikologjikisht.

“Gratë janë tejet të tronditura. Të mbajtura në izolim të plotë për tre dekada, ato nuk kanë pasur asnjë dijeni se çfarë ndodhte në botën e jashtme dhe i duhet kohë për të kuptuar se si ka ecur koha gjatë periudhës së tyre të izolimit”, deklaroi inspektori Kevin Hyland për “BBC”.

Policia britanike bëri të ditur se një organizatë bamirësie mori një thirrje për ndihmë nga një prej grave të izoluara gjatë muajit të shkuar.

Denoncuesja i tha organizatës së “Freedom Charity” se ishte rrëmbyer dhe mbahej peng prej më shumë se tre dekadash.

Që prej marrjes së telefonatës, policia nisi kërkimet për lokalizimin e adresës dhe planifikoi me imtësi ndërhyrjen.

Ende nuk është përcaktuar se si mundi gruaja e mbajtur në izolim që të gjente aksesin për të telefonuar autoritetet nga dhoma ku gratë mbahesin shumicën e kohës pa mundësinë minimale të lëvizjes.

Top Channel