Gillard: Abbott, të sillej si Obama me Merkel

22/11/2013 02:10

Akuzat se Australia ka spiunuar telefonatat e presidentit indonezian janë një “cështje madhore” për marrëdhëniet mes dy vendeve, ka deklaruar ish-kryeministrja e Australisë, Julia Gillard, në intervistën ekskluzive për Christiane Amanpour, në CNN, të enjten.

Ishte intervista e parë e saj, që pas largimit të saj nga politika, e detyruar nga lufta e brendshme në partinë e saj në fillim të këtij viti.

Ndërkohë që pasojat e zbulimeve nga informatori i NSA-së, Edward Snowden, ranë edhe mbi Australinë, presidenti i Indonezisë, Susilo Bambang Yudhoyono, ngriu marrëdhëniet ushtarake dhe ato të zbulimit me aleatët australianë.

Pasardhësi i Gillard, kryeministri Tony Abbott, ka refuzuar të kërkojë falje për akuzat për spiunazh, por ka shprehur keqardhjen për shqetësimët që raportimet e mediave u kanë shkaktuar indonezianëve.

Edhe pse Gillard tha se “nuk është e përshtatshme” për të që të komentonte mbi “çështjet e inteligjencës”, ajo lavdëroi reagimin e presidentit amerikan, Barack Obama, ndaj akuzave të ngjashme në lidhje me spiunazhin e SHBA-ve të kryer ndaj Kancelares gjermane, Angela Merkel.

“Nëse ai do të ishte në dijeni, kurrë nuk do ta kishte autorizuar këtë gjë dhe, me siguri, nuk do të thoshte se në të ardhmen nuk do të ndodhë më një gjë e tillë”, tha Gillard për Amanpour. “Mendoj se një përgjigje e ngjashme është më e përshtatshmja nga Australia për Indonezinë, në këtë moment kaq të vështirë”.

Mbledhja e informacioneve sekrete është tepër e vështirë të balancohet me privatësinë – tha ajo, – veçanërisht kur publiku sheh sulme si ngjarja e Maratonës së Bostonit, vetëm pak kohë më parë.

“A duhet ta kenë qeveritë këtë të drejtë gjatë gjithë kohës? Sigurisht që jo. Qeveritë përbëhen nga qenie njerëzore, kështu që mund të bëhen edhe gabime. Por, nevojiten sisteme me kontrolle të mjaftueshme dhe balancime kundrejt privatësisë anembanë globit”.

Në fund të intervistës, Gillard tha se largimi me forcë i saj nga partia ku aderonte ishte “diçka e tmerrshme që ndodhi”. “Ekziston ndienja e një humbjeje personale, sepse u largova nga një pozicion, të cilin po e gëzoja shumë gjatë kohës që e kryeja atë detyrë”, tha ajo. “Sigurisht, ndiej keqardhje përgjithësisht, por edhe një ndienjë krenarie për arritjet”. Gillard konfirmoi edhe njëherë se i ka dhënë fund politikës. “Po, e vërtet, – tha ajo. – Kam dalë përfundimisht nga politika”.

Top Channel