100 kilogramë bimë narkotike kanabis sativa janë sekuestruar natën e
kaluar në portin detar të Durrësit, ndërsa janë arrestuar 3 shtetas, mes
të cilëve një italian dhe dy shqiptarë.
Në dy raste të ndryshme të goditura nga policia kufitare mbeti në tentativë trafikimi drejt Italisë i 100 kg-ve lëndë narkotike. Në orën 03.00 të së premtes, u arrestua në flagrancë shtetasi italian nga Roma Guerrino Festuçia, 39 vjeç, pasi iu gjetën e bllokuan në cilësinë e provës materiale në mjetin e tij tip Alfa Romeo 92 pako me bimën narkotike me peshë 49 kg.
Festuçia do të udhëtonte drejt Italisë me tragetin ” Claudia” të linjës Durrës – Bari dhe tashmë do të përballet me akuzën e “trafikimit të lëndëve narkotike”.
Me të njëjtën akuzë, janë arrestuar në flagrancë dhe dy të rinj nga Durrësi, Abdyl Kaçaça dhe Lezerin Prifti, përkatësisht 22 dhe 24 vjeç. Të dy po udhëtonin drejt Italisë me mjetin Opel Astra në pronësi të Kaçaçës, që u përzgjodh për kontroll. Në bagazhin e mjetit u konstatua një bombël gazi, në brendësi të së cilës ndodhej një tjetër bombël gazi brenda së cilës u gjet e papaketuar një sasi prej 51 kg bimë narkotike kanabis sativa. Hetimet për të dyja rastet i kanë kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë.
Top Channel