22 nëntori 2013 shënon gjysmë shekulli, nga vrasja e presidentit amerikan, John F. Kennedy, në Dallas të Teksasit.
Qyteti, që ka luftuar prej një kohe të gjatë me trashëgiminë e hidhur të këtij episodi të bujshëm, organizoi me këtë rast një seri ceremonish zyrtare.
Kennedy, që shërbeu më pak se tre vjet në këtë post, është renditur, jo pak herë, si një ndër presidentët më të nderuar në historinë e kombit.
Ai ishte vetëm 46 vjeç kur vdiq dhe shumë i lëvduar për fuqinë e vet rinore, mënyrën se si menaxhoi krizën e raketave kubane dhe vizionin e madh të dërgimit të një njeriu në Hënë. Megjithatë, shumë gjëra, në mandatin e tij 1063 ditësh, konsiderohen të papërfunduara.
“Më shumë ka mbetur fama, se sa vepra e tij politike”, thotë “New York Times”.
Mjaft vëzhgues e shohin sot me qetësi Presidencën e Kennedy-t. Ata mendojnë se, në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm politik, ai kishte nisur shumë gjëra, por arriti pak. Kështu, ligji për të drejtat e qytetarëve u votua vetëm në kohën e pasardhësit të tij, Lyndon B. Johnson. Lufta fatale e Vietnamit, të cilën Kennedy e kishte përhapur shumë, iu rikthye tryezës së negociatave vetëm pak para vrasjes së tij.
Megjithatë, ajo për të cilën shumë ekspertë bien dakord është se Kennedy i dha Amerikës shpresa të mëdha. “Optimizmi dhe aftësia për të hapur vendin, ndaj aventurave të reja, është trashëgimia e vërtet e tij”, thotë Marvin Kalb, nga Instituti “Brookings”, një “think tank” me seli në Washington. “Do të doja që të kishim më shumë gjëra të tilla sot”, shton ai.
Adhuruesit e përshkruajnë si një magjistar të frymëzimit dhe si simbol të ndryshimit të Amerikës.
Çfarë mbetet nga mandati i shkurtër i John Fitzgerald Kennedy-t?
Përpos krizës së Kubës, ai vetë e konsideronte sukses të madh edhe nënshkrimin e marrëveshjes për testet bërthamore me Bashkimin Sovjetik. Mësimi që Kennedy u dha amerikanëve ishte se rrugëdalje ka gjithmonë, madje edhe atëherë kur dallimet e qëndrimeve mes palëve janë të mëdha.
Nga koha e tij kanë mbetur gjithashtu edhe vlerat, si pjesëmarrja e qytetarëve dhe angazhimi social, që stimulojnë shumë njerëz akoma edhe sot, siç ishin demonstratat për të drejtat qytetare, protestat kundër luftës së Vietnamit dhe, së fundi, lëvizja “Zaptoni Wallstreet-in”.
Presidenti amerikan u qëllua për vdekje, ndërsa përshëndeste turmën e përkrahësve brenda një automjeti të zbuluar, gjatë një vizite zyrtare në Dallas, Teksas. Misteri i asaj vrasje nuk është zbuluar kurrë tërësisht, ndërsa teoritë e komplotit fajësojnë për këtë vrasjen Kubën, mafian, Bashkimi Sovjetik, apo vetë rivalët politikë të Kennedy-t.
Kennedy-t i atribuohet gjerësisht merita se diti të shmangte me pjekuri një Luftë të Tretë Botërore, që me shumë gjasa do të ishte një luftë bërthamore, gjatë krizës kubaneze të raketave në vitin 1962.
Në vetëm tre vitet që drejtoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, John F. Kennedy u shndërrua në një pioner i luftës kundër racizmit, i luftës për barazinë sociale dhe ishte nismëtari i projektit hapësinor, që do të lejonte SHBA-të që në vitin 1969 të dërgonin njeriun e parë në Hënë.
Top Channel