Me 59 vota pro, 31 kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi, në parim, projektligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014.

Në seancën maratonike të së enjtes, megjithatë, pati debate kundër këtij projektligji nga radhët e opozitës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e vlerësuan projektligjin për buxhetin, si jo-zhvillimor për Kosovën.

Visar Ymeri i Lëvizjes Vetëvendosje tha se buxheti i prezantuar “nuk është buxhet zhvillimor, por buxhet para-apokaliptik”.

“Po na prezantohet si buxhet për shpëtim nga humnera, e jo buxhet për zhvillim. Shpëtimi nga humnera po na prezantohet si ecje përpara. Shifrën për 4,1 përqind të rritjes ekonomike nuk duhet ta marrim shumë seriozisht, sepse edhe në të kaluarën shifrat nuk kanë dalë ashtu siç janë prezantuar. Ne do ta votojmë kundër këtë buxhet dhe mendojmë që, edhe në amendamentimin e tij, përveçse nëse ndryshohet tërësisht, ky buxhet do të mbetet i njëjtë”, ka thënë Ymeri.

Ndërsa ministri i Financave, Besim Beqaj, ka thënë sot gjatë seancës, se buxheti i prezantuar para deputetëve është në linjë të plotë me objektivat e qeverisë për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe qëndrueshmëri e stabilitet makro-fiskal.

“Besojmë se, me këtë propozim kemi arritur që t’i financojmë kërkesat me prioritet të secilës organizatë buxhetore dhe njëkohësisht të ruajmë stabilitetin buxhetor, që është parakusht për rritje të qëndrueshme ekonomike”, ka thënë ministri Beqaj.

Buxheti i Kosovës për vitin 2014, sipas projektligjit të qeverisë, është 1 miliardë e 590 milionë euro.

Top Channel