Irani, bisedimet në ditën e dytë

21/11/2013 00:00

Negociatat mes fuqive botërore dhe Iranit për të ardhmen e programit bërthamor të Teheranit pritet të hynë në ditën e dytë.

Lajmi për raundin e radhës të bisedimeve vjen pas deklaratës së një zyrtari amerikan, i cili e cilësoi si “pozitiv” takimin e parë mes palëve, të mbajtur ditën e mërkurë.

Një numër i konsiderueshëm çështjesh mbeten për t’u zgjidhur, me Shtetet e Bashkuara që paralajmërojnë se nuk do të arrijnë një marrëveshje të nxituar.

Negociatorët po trajtojnë një marrëveshje të përkohshme, që mund të parashikojë ndalimin e programit të pasurimit të uraniumit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Irani insiston në variantin e zakonshëm se programi i tij ka qëllime paqësore, por disa nga fuqitë botërore pretendojnë se ai po synon të prodhojë armë bërthamore.

Bisedimet në Gjenevë, që parashikohet të mbyllen ditën e premte, përfshijnë Iranin dhe të ashtuquajturin grupi “5+1”, ku bëjnë pjesë SHBA, Britania, Franca, Kina dhe Rusia, plus Gjermaninë.

Në raundet e mbajtura më herët gjatë muajit, palët nuk arritën dot një marrëveshje. Sesioni i parë plenar i së mërkurës ishte i shkurtër dhe më tepër një takim prezantues.

Negociatori iranian Abbas Araqchi tha për agjencinë e lajmeve “FARS” se më seriozisht do të bisedohet ditën e enjte.

Raundi i parë i dialogut pasoi me një seri bisedimesh dypalëshe, një prej të cilëve mes shefes së Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton dhe ministrit të Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Top Channel