SHBA-Izrael, krisje e hapur për Iranin bërthamor

20/11/2013 04:00

Ajo që është spekuluar prej një kohe të gjatë, tashmë është bërë publike: Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë ndryshime të theksuara në mënyrën se si do të veprojnë në lidhje me ambiciet bërthamore të Iranit.

Ndërkohë që të dy qeveritë refuzojnë çdo mundësi për një Iran të pajisur me armë bërthamore, ata janë qartësisht në kundërshtim mbi një marrëveshje të mundshme brenda kësaj jave, që mund të lehtësojë sanksionet ekonomike ndaj Teheranit në këmbim të pezullimit të një pjese të caktuar të programit të tij bërthamor.

“Kjo është një marrëveshje e keqe, madje jashtëzakonisht e dëmshme”, ka thënë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, për CNN ditën e diel, në lidhje me marrëveshjen e mundshme të kërkuar prej Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në bisedimet ndërkombëtare të Gjenevës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, argumentoi të hënën se negociatat ofrojnë një zgjidhje diplomatike, duke thënë për reporterët se “refuzimi i negociatave do të nënkuptonte zgjidhjen” e përdorimit të forcës për të mos lejuar Iranin të zhvillojë armët bërthamore.

Për shkak të niveleve të diferencimeve, dy vendet e patën të pamundur të arrinin një marrëveshje, kur Kerry udhëtoi më pas drejt Izraelit për bisedime me Netahyahu-n, në lidhje me çështjen e Iranit.

Netanyahu tha të dielën se Kerry do të takohet me të të premten, por Sekretari amerikan u tha reporterëve të hënën se nuk do të mund të udhëtojë kaq shpejt në Izrael.

Ndarja përfshin diplomacinë ndërkombëtare si dhe çështje politike të brendshme në të dy vendet, si dhe vjen në momentin kur Kerry dhe presidenti amerikan, Barack Obama, kanë nxitur Netanyahu-n të punojë me zyrtarët palestinezë për të arritur një marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme.

Edhe pse Netanyahu dhe Obama kanë pranuar prej kohësh se miqtë e ngushtë mund të mos bien dakord për çështje të veçanta, gjuha e drejtpërdrejtë në të dy krahët, në lidhje me kundërshtitë e tyre mbi një marrëveshje të mundshme me Iranin, tregon paqëndrueshmërinë e një çështjeje me pasoja të mëdha rajonale dhe globale.

Top Channel