Rusi, lirohen aktivistët e “Greenpeace”

20/11/2013 15:15

Kapiteni i anijes së “Greenpeace” dhe dy aktivistë britanikë u lanë të lirë me kusht nga një gjykatë në Rusinë Veriore.

Peter Willcox, i cili drejtoi anijen me të cilën ambientalistët tentuan të bllokonin punën në një platformë naftënxjerrëse mbahej së bashku me aktivistët i burgosur në pritje të përballjes me drejtësinë ruse për akuzën e huliganizmit.

Fillimisht, ndaj aktivistëve ishte ngritur akuza e piraterisë detare, një vepër e rëndë penale e dënueshme deri në 15 vite heqje lirie, por në pamundësi për të provuar këtë krim, autoritetet ndryshuan akuzën në një vepër penale më të lehtë.

12 aktivistë të tjerë, midis të cilëve nëntë shtetas të huaj dhe tre rusë ishin lënë të lirë me kusht më parë.

Tre persona të tjerë presin të dëgjojnë masën e marrë ndaj tyre më vonë gjatë ditës.

“Greenpeace”, e mbështetur nga disa shtete perëndimore u përfshi në një betejë të ashpër ligjore dhe verbale me Moskën, e cila nuk mirëpriti aspak aksionin e zhvilluar planë plaftormave të tyre në Detin e Ngrirë të Veriut.

SIpas ambientalistëve, nxjerra e naftës dhe gazit natyror në këtë zonë kërcëon një ekosistem tepër delikat.

Top Channel