David Cameron, Kryeministër i Britanisë së Madhe priti në 10 Downing
Street në Londër homologun shqiptar Edi Rama. Siç njofton Departamenti i
Informacionit i Kryeministrit shqiptar, gjatë takimit Rama u përqendrua
tek e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe theksoi reformat e ndërmarra
nga Qeveria shqiptare, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar
dhe korrupsionit.

Dy kryeministrat biseduan edhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, që u cilësuan të shkëlqyera, si edhe për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Kryeministri Cameron e uroi Kryeministrin Rama për marrjen e detyrës dhe theksoi se Qeveria e tij mbështet integrimin evropian të Shqipërisë.

Rama: Duhet të investojmë në kapacitetet njerëzore

Gjatë qëndrimit në Londër, së bashku me ish-presidenten e Kirgistanit dhe presidenentin e fondacionit SOROS George Sorros, Kryeministri Rama ishte pjesëmarrës në konferencën e organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku u publikua raporti mbi tranzicionin 2013.

Raporti analizon kapacitet njerëzore në vendet në tranzicion. Kryeministri Edi Rama duke folur për këtë çështje tha se “është e rëndësishme për çdo vend pasuritë që ka, por është akoma më e rëndësishme çfarë vendet dinë”.

“Për herë të parë në ekzistencën e Ballkanit viti 2014, na gjen në paqe dhe jo me armë në dritare drejtuar njëri-tjetrit. E gjitha kjo, pra, procesi i paqes ka ndodhur në emër të Europës me ëndrrën për t’ju bashkuar asaj. Nga ana tjetër kjo është disi paradokale pasi Europa nuk është ekzaktësisht ajo që ne kishim në mëndje kur nisëm të luftojmë për të. Sa më afër tentojmë t’i shkojmë, aq më shumë komplikohen gjërat me të cilat ne duhet të merremi. Për mua ky raport është shumë interesant pasi nënvizon diçka që harrohet gjatë përpjekjeve tona për t’ju afruar Europës. Kapitalin njerëzor. Të investuarit në kapitalin njerëzor është shumë e rëndësishme për ta bërë, por në të njëjtën kohë është akoma më e vështirë për vendet, të cilat kanë shumë e shumë probleme.Kështu ne jemi përballë një dileme. Kur kërkon të investosh në dije atëherë nuk rivotohesh pasi kërkon shumë kohë. Në të njëjtën kohë kur nuk investon në dije ndoshta do të rizgjidhesh, por do të duhet të merresh me të tjera probleme. Për mua zgjedhja është e qartë. Duhet të investojmë në ato aspekte që kanë të bëjnë me kapacitetet njerëzore”, tha Rama.

“Shqipëria është vlerësuar nga 3 në 2 plus. Vendi ka një histori problemesh që lidhen me shpërndarjen e energjisë elektrike, përfshi humbje të mëdha nga kompani lokale të energjisë përfshi KESH-in, i cili ka një rekord të dobët në mbledhjen e borxheve”, thuhet në raportin e BERZH-it. Duke analizuar problematikën e CEZ-it, raporti nënvizon se tashmë cështja është subjekt i një arbitrazhi gje e cila mund të ketë frenuar investitorë potencialë.

Top Channel