Prokuroria dhe Gjykata e Vlorës kanë kërkuar që procesi gjyqësor ndaj
kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika dhe të pandehurve të
tjerë të transferohet në një gjykatë tjetër.
Kërkesa erdhi pasi gjatë seancës së parë gjyqësore në Gjykatën e Vlorës jashtë ndërtesës janë grumbulluar dhjetëra mbështetës të kryetarit të Bashkisë, të cilët qëndruan në pritje të rrjedhës së procesit.
Nga frika e ndonjë trazire apo ndikueshmërie tek gjyqtarja e çështjes, prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë transferimin e dosjes.
Sipas prokurorisë, deri në një vendim të Gjykatës së Lartë, dosja do të vazhdoj shqyrtimin pranë Gjykatës së Vlorës, ku të pandehurit do të përballen me akuzat e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “ndërtimit të paligjshëm”.
Seanca e radhës është caktuar për në orën 11:30 të datës 5 dhjetor. Gjika akuzohet për lëshimin e dy lejeve të ndërtimit në kundërshtim me procedurat, ku ka hedhur firmën e tij pa kaluar kërkesën e subjekteve në KRRT. Sipas prokurorisë, Gjika në cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, punonjëse pranë bashkisë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy proces-verbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të datës 24 mars 2010 dhe 15 korrik 2010. Lejet janë përfituar nga dy subjekte private, një prej të cilëve deklarohet se ishte edhe zyrtar në bashki.
Top Channel