Kur Francis Coppola dëbonte De Niro-n

20/11/2013 00:00

Të rrallë janë ata që nuk kanë parë apo nuk kanë dëgjuar për triologjinë “Kumbari” (The Godfather), i vlerësuar nga kritika si filmi më i realizuar i të gjitha kohërave.

Në thuajse dy dekada doli në kinema pjesa e parë, e dytë dhe e treta ku në një linjë të vetme përfshiheshin emrat legjendarë të kinemasë hollivudiane, disa prej tyre kanë ndërruar jetë, të tjerë jetojnë ende.

Marlon Brando interpretoi Vito Corleon-en, një “Don” i mafias italiane në Amerikën e vitet 1940, që mundohet të ruajë pushtetin e familjes së tij dhe t’ia trashëgojë atë të birit. Në serinë e parë një prej skenave më të realizuara është ajo e vrasjes së “gjaknxehtit” Soni Corleone, djalit të Vitos.

Soni u luajt në atë kohë nga James Caan, që kishte fituar audicionet përballë regjisorit Francis Ford Coppola. Së fundmi ka dalë në dritë një fakt interesant lidhur me këto audicione. Mes dhjetra të rinjve që ëndërronin të hapnin dyert e Hollywood-it duke marrë pjesë në film, ishte edhe Robert De Niro.

De Niro ka qenë konkurrent për të interpretuar rolin e Soni Corleone-s, por është “dëbuar” nga Coppola si i papërshtatshëm. Megjithatë, i riu premtues, që në atë kohë s’i kishte mbushur ende të 30-at, nuk u dorëzua dhe dy vjet më vonë fiton audicionin për të qenë pjesë e “Kumbari II”.

Në serinë e dytë paraqiten dy drama paralele, e para ajo e që ka në qendër Michael Corleone (Al Pacino), “Don”-i i ri i familjes Corleone dhe një vazhdimësi e linjës së serisë së parë, dhe drama e dytë, ajo kujtimeve që Michael kishte trashëguar nga i ati, Vito që prej vendosjes në Nju Jork në vitin 1901 e deri në krijimin e familjes Corleone, kujtime ku Vito jetësohet nga Robert De Niro.

Shih audicionin e dështuar të Robert De Niro-s

Top Channel