Fitorja e pesë këshilltarëve shqiptarë në Kuvendin Komunal të Zveçanit ka rezultuar e papranueshme për liderin e iniciativës qytetare të partisë Social Demokrate serbe, Oliver Ivanoviç.

Më 15 nëntor ai i është drejtuar me një ankesë panelit për ankesa dhe parashtresa, nëpërmjet të cilës ka kërkuar përsëritjen e votimit në vendvotimet të cilat konsiderohen si kontestuese.

Në ankesën e tij Ivanoviç kritikon OSBE-në se ditën e zgjedhjeve u largua nga qendrat e votimit në ora 18:00 pa ndonjë arsye të fortë. Rrjedhimisht, serbët, të cilët kanë vendosur të votojnë më vonë, nuk kanë mundur të realizojnë të drejtën e tyre.

Pretendohet se në këtë pikë është shkelur ligji për zgjedhje dhe Kushtetuta e Kosovës, e cila garanton barazi të plotë për të gjithë qytetarët.

“Largimi i parakohshëm i OSBE-së ka shkaktuar parregullësi serioze. Materiali zgjedhor, kutitë e votimit, listat e votuesve, etj. janë lënë pa kurrfarë mbikëqyrjeje deri në orën 20:00”, thuhet në arsyetimin që paneli i ankesave e ka prezantuar në KQZ.

Në fakt, KQZ-ja nuk kishte përfshirë në rezultatin përfundimtar disa vendvotime të Zveçanit për shkak se kishin munguar listat përfundimtare të votuesve. Anulimi i zgjedhjeve në këto vendvotime ka qenë i papranueshëm për liderin serb.

“Nëse zgjedhjet janë anuluar në disa vendvotime dhe nuk mbahet rivotimi krijohet një situatë absurde ku numri i këshilltarëve nga partite shqiptare do të rritet dhe i serbëve do të zvoglëohet”, ka deklaruar Ivanoviç.

Mbi këtë bazë dhe ankesa të tjera lidhur me parregullësitë në këtë komunë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aprovoi urdhërin e panelit zgjedhor për përsëritjen e votimit. Kundër këtij vendimi ishte anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi.

Ai e cilësoi politik vendimin e PZAP-së, me synimin për të bërë balancë politike në atë zonë. Sipas tij, edhe shqiptarët janë dëmtuar pasi të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur dy orë më herët. Ai tha se rivotimi vetëm në këto vendvotime mund ta dëmtojë rezultatin në kuvendin komunal.

Në tri qendra votimi në Zveçan do të rivotohet më 1 dhjetor, në ditën kur shumica e komunave të Kosovës, përfshirë Mitrovicën e Veriut, do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Top Channel