
Policia franceze ka ndaluar një person të dyshuar si autor i sulmeve të fundit me armë zjarri në Paris, njoftojnë autoritetet lokale.
Sipas prokurorëve, ai është ndaluar rreth orës 18:00 me orën lokale, në një makinë të parkuar në një lagje në perëndim të kryeqytetit francez.
Të premten e kaluar i dyshuari kërcënoi me armë punonjësit e një stacioni televiziv, për të vijuar të hënën me zyrat e gazetës “Liberation” dhe ato të bankës “Societe Generale”.
Ai kishte ndaluar me një makinë në një parking nëntokësor. Qindra policë u përfshinë në kërkimin e tij që prej ditës së hënë.
Në incidentin e parë, në zyrat e televizionit “BFMTV”, autori zbrazi karikatorin e armës së tij automatike dhe i tha më pas një punonjësi: “Herën tjetër nuk do shpëtosh”.
Kamerat e sigurisë treguan se ai kishte kaluar vetëm pak sekonda në zonën e recepsionit, para se të largohej. Ndërsa të hënën, i dyshuari sulmoi zyrat e gazetës “Liberation”, duke qëlluar dy herë dhe duke plagosur rëndë një fotograf.
Dy orë më vonë i njëjti person qëlloi jashtë zyrave të selisë qendrore të bankës “Societe Generale”, në zonën perëndimore të Parisit, Defense. Për fat të mirë këtu askush nuk mbeti i plagosur.
Më pas personi mori me forcë një makinë, duke detyruar shoferin e saj të zbriste nën kërcënimin e armës dhe u drejtua për në shëtitoren Champs Elysees, ku dhe u zhduk nga qarkullimi.
Top Channel