
Ora e edukimit fizik është ndër më të preferuarat për nxënësit. Disa e shfrytëzojnë për të luajtur apo për t’u angazhuar në aktivitete sportive e dikush tjetër edhe për të bërë një orë pushim.
Në gjimnazet e Shqipërisë rëndësia e lëndës së fiskulturës ka ardhur duke u zbehur dhe siç tregon mësuesja Marije Lika në disa raste është vetëm mundësi zgjedhjeje dhe jo e detyrueshme: “Viti i parë ka dy orë fiskulturë, ndërsa viti i dytë një orë plus një orë me zgjedhje.”
Në eksperiencën e saj 30-vjeçare në mësimdhënie, Maria tregon se lënda e edukimit mbetet e kërkuar nga nxënësit: “Nxënësit e duan shumë. Janë të angazhuar në mësim dhe është e nevojshme për ta.”
Mësuesja e gjimnazit “Qemal Stafa” tregon se disa herë janë bërë kërkesa për të shtuar orët e edukimit fizik në shkolla: “Kërkojmë që të paktën të jetë dy herë në javë, siç ka qenë më përpara. E mira do ishte edhe tre herë.”
Por, përtej ndryshimeve të herëpashershme, shtimit dhe reduktimit të orëve që i dedikohen sportit, mësuesja tregon se zgjidhja më e mirë janë klasat sportive: “Nëse duam që sporti të ecë përpara, duhet të hapen klasat sportive.”
Përveçse është një lëndë ku fëmijët argëtohen, sporti është një mundësi që fëmijët të rriten më të shëndetshëm!
Mazniku: Besojmë tek bashkimi i sportit me arsimin
Zv/ministri i Arsimit dhe Sportit, Arbjan Mazniku, deklaroi në studion e “Pasdite në Top Channel” se shkollat duhet të kenë rol në formësimin sportiv të të rinjve jo vetëm gjatë orarit të mësimit.
“Shkollat duhet të kenë një rol edhe pas orarit të mësimit. Ato duhet të jenë në shërbim të komunitetit. Palestrat duhet të jenë të hapura, duhet të ketë grupe teatri apo letërsie pasditeve. Në këtë mënyrë edhe shkolla gjeneron të ardhura. Nëse palestra përdoret pas orarit të mësimit, të ardhurat shkojnë për shkollën dhe del edhe mirëmbajtja e palestrës” u shpreh Mazniku
Më tej, zv/ministri shtoi se “qeveria beson tek koncepti i bashkimit të sportit dhe arsimit”.
Top Channel