Këshilli i përbashkët i ministrave të Jashtëm e atyre të Mbrojtjes së BE-së konkludoi me “thirrjen për eliminim të shpejtë të arsenalit kimik sirian”, si dhe për zgjidhjen politike në vend për t’i dhënë fund “kërcënimit të paprecedent të rajonit”.
Në këtë mbledhje ishte i pranishëm dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Pas refuzimit të Tiranës, i pyetur nëse është diskutuar mbi mundësinë e transportimit të produkteve kimike siriane te një prej vendeve të Aleancës, ku krahas Shqipërisë, SHBA-ve, Kanadasë e Turqisë, bën pjesë edhe shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE-së, Rassmussen u shpreh se ai nuk priste që Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike të kërkonte ndërhyrjen e NATO-s.
“Këtë diskutim nuk e kemi bërë dhe as nuk e kemi në tryezë, pasi natyrisht që, në fund të fundit, ky është dhe një vendim kombëtar. Por, unë vërej me kënaqësi se puna për eliminimin e armëve kimike siriane po përparon mjaft mirë, nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara dhe OPCW. Unë mund t’ju informoj se ne po e ndjekim situatën, edhe gjatë Këshillit me Rusinë, dhe nesër do të kemi një përmbledhje nga OPCW, si dhe të rejat më të fundit për sa i takon punës së Kombeve të Bashkuara për eliminimin e armëve kimike siriane. Nuk mendoj se do të paraqitet ndonjë kërkesë. Qëllimi është të informohemi me të rejat e fundit dhe, deri tani, ne nuk kemi marrë asnjë kërkesë për ndihmë”, tha Anders Fogh Rassmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Përveç Sirisë, Këshilli i BE-së diskutoi dhe mbi marrëdhëniet e fqinjësisë, zhvillimet në Egjipt e Libi, rolin e Unionit në menaxhimin e krizave dhe ndihmën humanitare, si dhe vlerësoi punën e Agjencisë Europiane të Mbrojtjes, duke i përcaktuar buxhetin 30,5 milionë euro për vitin e ardhshëm.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Armët kimike siriane
SHBA: Dy mundësi të tjera. Mediat përmendin Turqinë dhe Jordaninë
Kërkimi për vendin e gatshëm, të pranojë arsenalin kimik sirian për shkatërrim në tokën e tij, vazhdon.
Pengesat që hasi plani ndërkombëtar me refuzimin e Norvegjisë dhe Francës më së pari, pastaj Shqipërisë, dhe një ditë më parë edhe Belgjikës, nuk e zbehin perspektivën e përmbushjes së tij.
Sekretari amerikan Kerry pohoi se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë dy mundësi të tjera, pa sqaruar se cilat janë ato. Zyrtarë amerikanë, që preferojnë të ruajnë anonimatin, citohen të kenë pohuar se Ëashington-i po vazhdon për këtë qëllim negociatat me Turqinë dhe Jordaninë, edhe pse zyrtarisht ato janë përjashtuar që në fillim nga lista, për shkak të presioneve të mëdha që ka ndjerë ekonomia e tyre nga fluksi i emigrantëve sirianë.
“Nuk kemi lëvizur nga kursi. Në fakt, në mos një vend, një tjetër mund ta ketë diskutuar marrjen e këtyre armëve nën juridiksionin e vet, për t’i asgjësuar. Nuk jemi pa alternativa. Jemi duke ndjekur në mënyrë aktive dy të tilla, të cilat të na sigurojnë kapacitetin për të kryer shkatërrimin e për të respektuar afatet”, tha Kerry.
I së njëjtës linjë me shefin e diplomacisë amerikane është edhe konsulenti i çarmatimit të armëve kimike, Ralf Trep, i cili pohon se ka ende kandidatë të mundshëm për këtë detyrë.
“Janë disa, shtetet e mësuara me shkatërrimin e armëve të kësaj natyre, – pohon ai, – vetëm se asgjësimi i agjentëve relativisht të rinj, si sarini, kërkon një procedurë tjetër”.
Një nga pyetjet, që qarkulloi shumë në ditët kur vlonte diskutimi, mbi pranimin ose jo të arsenalit sirian në Shqipëri, ishte: Përse nuk i shkatërron vetë Amerika apo Rusia.
Me sa duket, një pyetje e tillë nuk është ngritur vetëm nga shqiptarët. Eksperti sqaron në pohimet e tij se të dy shtetet në fjalë mund ta kryenin fare mirë vet asgjësimin, por Shteteve të Bashkuara, ligji vendas ia ndalon importimin e armëve kimike për shkatërrim.
Sa për Rusinë, ajo i ka qendrat e asgjësimit të superngarkuara me barrën e shkatërrimit të arsenalit të vet kimik.
Sipas OPAK-ut, deri më sot, shtetet që kanë pranuar disponimin e rezervave të armëve kimike janë Shqipëria, India, Iraku, Libia, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe një vend tjetër, i cili nuk bëhet publik, por që shumë besojnë të jetë Koreja e Jugut.
Sipas një zëdhënësi të OPAK-ut në Hagë, koha nuk shtrëngon. Kimikatet më të rrezikshme duhet larguar nga Siria deri më 31 dhjetor. I plotë, arsenali duhet hequr deri më 5 shkurt dhe asgjësimi përfundimtar duhet të kryhet deri më 30 qershor.
Fakti që disa shtete janë tërhequr nuk përbën asnjë problem, thotë ai. Ka mjaft vende me ekspertizën dhe facilitetet për t’i asgjësuar armë të tilla, ndaj do të arrijmë patjetër të gjejmë një destinacion final për arsenalin e Sirisë.
Top Channel