Çmimi Sakharov për Malala Yousafzai

20/11/2013 15:45

Adoleshentja pakistaneze, Malala Yousafzai, e cila i mbijetoi mrekullisht një sulmi të talebanëve u nderua të mërkurën me çmimin “Sakharov” për të drejtat e njeriut, akorduar nga Bashkimi Europian gjatë një ceremonie në Strasburg.

16-vjeçarja u qëllua në vendlindjen e saj me një plumb në kokë brenda një autobusi, pasi këmbëngulte që të arsimohej.

Sipas talebanëve, femrat nuk duhet të kenë të drejtë që të ndjekin shkollë.

Pas një beteje të gjatë me vdekjen, Malala arriti të mbijetonte dhe në fjalimin e saj falenderues i dedikoi çmimin të rinjve të tjerë pakistanezë, të cilët ajo i konsideroi si “Heronjtë e Panjohur të Pakistanit”.

Ishte vetë presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, ai që i dorëzoi vajzës çmimin prestigjioz.

Çmimi Sakharov, i cili ka marrë emrin e një fizikanti dhe disidenti sovjetik, Andrei Sakharovit, është nderimi më i lartë që bën BE në fushën e të drejtave të njeriut dhe lirisë së mendimit.

Ai shoqërohet edhe me një shpërblim prej 50 mijë eurosh.

Top Channel