Nëse Serbia nuk i gjen përgjegjësit për vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi,
Agron, Ylli dhe Mehmet nga brigada e Atlantikut e UÇK-së, atëherë do të
dëmtohen seriozisht marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Kështu bën të ditur e përditshmja serbe “Danas”, që citon një rezolutë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan të datës 22 tetor.

“Progresi në zgjidhjen e këtij rasti ose mungesa e rezultateve do të mbeten faktor me rëndësi në përcaktimin e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet SHBA dhe Republikës së Serbisë”, thotë rezoluta.

Sipas gazetës, në dokumentin në fjalë theksohet se, askush deri më tani nuk është përgjigjur për vrasjen e tmerrshme të vëllezërve Bytyçi, kosovarë me nënshtetësi amerikane, në Petrovo Sello në vitin 1999, ose “për cilëndo vepër penale të lidhur me vrasjen e tyre”.

Rezoluta kërkon që zbulimi i vrasësve të jetë prioritet në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe propozon edhe ndihmë amerikane financiare e profesionale për të.

Në rezolutën prej tri faqesh analizohet rasti Bytyçi, tregohet se cilët ishin tre vëllezërit dhe trajtohet gjerësisht ekzekutimi i tyre në gjysmën e parë të qershorit të vitit 1999 në Petrovo Sello.

Bytyçët u vranë me plumb në kokë dhe trupat e tyre u hodhën në varrin masiv me 70 të vrarë të tjerë. Rezolutën e propozuan kongresmenët republikanë Eliot Engel dhe Michel Greem.

Në marsin e vitit të kaluar Gjykata serbe e Apelit çliroi nga akuzat për këtë vrasje policët Sreten Popoviç dhe Milosh Stojanoviç.

Top Channel