PE miraton buxhetin 6-vjeçar

19/11/2013 15:15

Parlamenti Europian aprovoi buxhetin e tij përfundimtar për periudhën 2014-2020.

Me një total prej 960 miliardë eurosh të financuara nga vendet anëtare, buxheti i përbashkët njeh një ulje nga 6-vjeçari i mëparshëm.

Shkurtimi me 3,5% i imponuar nga kriza ekonomike që po përjeton Eurozona do të godasë veçanërisht investimet që synojnë rritjen e mirëqënies në rajonet më të varfëra të Bashkimit Europian.

Kjo është hera e parë që BE miraton një buxhet më të ulët se ai i sesionit të mëparshëm.

Buxheti, i quajtur “Struktura Financiare Shumëvjeçare” kaloi me 537 vota pro dhe 126 kundër.

Shumica e votave kundër u regjistruan nga blloku i euroskeptikëve, blloku i majtë europian dhe të gjelbërit.

Në këtë buxhet nuk do të ketë shkurtime në fondet për kërkimet shkencore, për ndihmën humanitare dhe për kontrollin kufitar.

Për herë të parë, eurodeputetët kanë miratuar edhe një mekanizëm që do ta bëjë më të thjeshtë devijimin e fondeve nga një strukturë tek një tjetër, në bazë të nevojave specifike që mund të lindin në vitet në vazhdim.

Top Channel