Shqipëria ka mëse 31 vende të klasifikuara si të ndotura nga mbetje të
ndryshme, të cilat përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për banorët e
zonave rreth tyre.

Në 23 vite, për disa nga këto vende është folur jo pak, ndërsa të tjera kanë mbetur tërësisht në hije.Janë zona që kanë marrë jetë dhe që kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë edhe sot tragjedi njerëzore.

Niçma është një ndër to. E fshehur maleve rreth 20 kilometra nga qyteti i Kukësit, fshati ka qenë dikur një vendburim, ku Qeveria e kohës komuniste, në bashkëpunim me specialistë kinezë hapën miniera uraniumi. Punimet vijuan për disa vite, derisa u arrit në rezultatin se sasia e tij nuk ishte e mjaftueshme për të vijuar punën më tej.Në masë të madhe uraniumi ishte i përzier edhe me një tjetër lëndë helmuese, plumbin.

Punimet në këtë minierë u ndërprenë për arsye nga më të ndryshmet në mes të viteve 80-të. Nga atëherë askush nuk u kujtua për më Nimçën, fshati që paguan me jetë pasojat e radioaktivitetit dhe helmit të plumbit.

Masa dërrmuese e minatorëve, që kanë punuar në minierën e Nimçës, tashmë kanë vdekur. Askush nuk mund të thotë me saktësi arsyet e vërteta të sëmundjes që u ka marrë jetën, por fakt mbetet që shumë prej tyre nuk i kanë kaluar 55 vitet.

“Nuk e kanë kaluar moshën 55-vjecare, ata që kanë punuar nën nëntokë. Ata të gjithë kanë vdekur, nuk jetojnë sot. Të gjithë ata kanë vdekur për shkak të kancerit”, tregojnë banorët.

Shumë minatorë kanë humbur edhe fëmijët e tyre, pjesa më e madhe e të cilëve kanë rezultuar pas lindjes me të meta mendore. Uraniumi dhe plumbi mund të mos kenë qenë në sasi të mëdha sipas specialistëve, por kanë qenë mjaft për të mbjellë vdekjen dhe sëmundjet, thonë mjekët. Inertet e shumta që janë nxjerrë nga minierat gjatë viteve, janë hedhur kuturu nëpër malet dhe luginat përreth. Për më tepër uji që rrjedh nga to derdhet në lumin pranë, ku luajnë dhe pijnë fëmijët, të rriturit, por edhe bagëtia.

Banorët tregojnë me dhimbje për familje si ajo e Mevlan Hodos, të cilit i kanë vdekur 8 fëmijë, apo për atë të Nebi Kobocit, që po ashtu ka humbur shtatë fëmijë dhe sot ka një djalë me probleme mendore; të Hajredinit po ashtu. Shumë janë larguar, të tjerë ndodhen ende në zonë. Tragjedi të tilla gjen kudo në Nimçë, si në një tjetër familje, atë të Rehan Hodos.

“Dy prej fëmijëve që ka lindur gruaja ime kanë vdekur. Një prej fëmijëve që kam në shtëpi nuk është mirë”, tregon Rehani.

Nimça sot është tkurrur në diçka më shumë se 23-24 familje, nga mbi 100 të tilla që kanë qenë dikur. Të gjithë duan të ikin, t’i shpëtojnë realitetit të këtushëm.

“Djemtë janë bërë për martesë. Përse këtu do i le unë të jetojnë fëmijët e mi, që të lindin ata fëmijë me probleme? Eshtë gjynah! Por kur nuk ke çfarë bën, atëherë do të pranojmë këtë gjendje”, thotë një tjetër banor.

Sikur të mos mjaftonte vdekja, mbi të cilën jetojnë banorët e Niçmës, ata duhet të përballen edhe me pamundësinë për të shitur prodhimet e tyre të pakta bujqësore.

“Edhe qumështi i lopëve na thonë që është me sëmundje. Edhe patatet nuk na i pranojnë në Kukës, kur i themi që jemi nga Nimça”, thotë një banor.

Statistikat e sakta mungojnë, megjithatë numri i të vdekurve dhe i të sëmurëve që kanë lidhje me Nimçën, ku përfshihen edhe inxhinierë dhe punëtorë të ardhur nga zona të tjera në atë kohë mbetet tej çdo limiti normal. A do të ketë mundësi edhe Nimça, a do të mund banorët e këtij fshati t’i shpëtojnë mallkimit të minierave, burrat, gratë, fëmijët e mbetur? Deri tani kjo ka qenë e pamundur dhe e vetmja mundësi që kanë patur banorët e Nimçës ka qenë të paguajnë jetën me vdekjen.

Top Channel