Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë të martën
raportin e rregullt tremujor të sekretarit të përgjithshëm, Ban ki Moon
mbi Kosovën.

Në raportin e tij, Ki Moon situatën e sigurisë në Kosovë e përshkruan si përgjithësisht të qetë, ndërkohë që vlerëson përparimet në përgatitjen e zgjedhjeve, përfshirë edhe veriun e Kosovës.

Në këtë takim, siç është bërë praktikë, fillimisht do të shqyrtohet raporti dhe më pas do të dëgjohen fjalimet nga shefi i UNMIK-ut, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë dhe do të përmbyllet me fjalimet e ambasadorëve të vendeve anëtare.

Në seancën e posaçme të Këshillit të Sigurimit do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të flasë në veçanti për zgjedhjet lokale dhe standartet e tyre, si dhe për angazhimin e tij për përfshirjen e të zgjedhurve serbë në institucione.

Sipas raportimeve të “RTK”, zoti Ki Moon në raport përgëzon Prishtinën dhe Beogradin për përpjekjet e vazhdueshme në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, si dhe falënderon për rolin e saj Përfaqësuesen e Lartë, Catherine Ashton.

Ai thekson rëndësinë e zbatimit me besnikëri të marrëveshjes, pa rihapjen e dispozitave të tyre. “Progresi në terren dhe dialogu politik mbeten faktorë jetikë për aspiratat e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian”, thotë Ban.

Top Channel