Hollande: S’do të lejojmë një Iran nuklear

19/11/2013 02:30

Francois Hollande, president i Francës, i ka bërë të ditur kryeministrit të Izraelit se vendi i tij nuk do të lejojë Iranin të sigurojë armët bërthamore, duke thënë se një situatë e tillë do të ishte kërcënim për Izraelin dhe të gjithë rajonin.

Duke folur në Parlamentin izraelit, i shoqëruar me duartrokitje të zhurmshme, Hollande tha: “Nuk kemi asgjë kundër Iranit apo popullit të tij, por nuk mund ta lejojmë atë që të sigurojë armët kimike, pasi kjo do të përbënte kërcënim për Izraelin dhe rajonin. Do të mbajmë në fuqi sanksionet, për sa kohë që nuk jemi të bindur se Irani ka hequr dorë përfundimisht nga programi i tij ushtarak”.

Sa i përket një shteti të ardhshëm palestinez, Hollande tha përpara parlamentarëve izraelitë se Jeruzalemi duhet të jetë kryeqyteti i ardhshëm i Izraelit dhe shtetit të ardhshëm të Palestinës.

“Pozicioni i Francës është i njohur: një marrëveshje e negociuar, me Jeruzalemin si kryeqytet të të dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës, në mënyrë që të bashkëjetohet në paqe dhe siguri”, tha ai.

Izraeli pushtoi Jeruzalemin Lindor gjatë luftës së 1967-s, teksa më vonë e aneksoi paligjshmërisht atë. Ai e sheh të gjithë qytetin si një “kapital të përjetshëm dhe të pandashëm” të tijin.

Më herët, ai kishte bërë thirrje për ndaljen e plotë të ndërtimeve të paligjshme izraelite në tokën, që palestinezët e konsiderojnë si pjesë të shtetit të ardhshëm të tyre.

Duke folur në vizitën e tij të parë zyrtare në territoret palestineze, Hollande tha se ndërtimi i blloqeve të banimit ishte problematik për negociatat për paqe, që po zvarriten për më shumë se 3 muaj me shumë pak shenja progresi.

“Franca kërkon ndalimin e plotë të aktivitetit të ndërtimeve”, tha ai në Ramallah, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij palestinez, Mahmoud Abbas. “Aktiviteti ndërtimor komplikon negociatat dhe e bën gjithnjë e më të vështirë arritjen e një zgjidhjeje për të dy shtetet”, shtoi Hollande.

Që kur negociatorët izraelitë dhe palestinezë janë rikthyer në tavolinën e rrumbullakët në fund të korrikut, Izraeli ka bërë disa njoftime për mijëra shtëpi të reja banimi, duke irrituar negociatorët palestinezë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netahyahu, ka bërë të ditur së fundi se aktivitetet në fjalë do të pezullohen.

Top Channel