Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi  është njoftuar nga drejtuesit e lartë të Facebook, me seli në Dublin të Irlandës, mbi përfshirjen e Kosovës në këtë rrjet global social.

Përfshirja e Kosovës në rrjetin më të madh social në botë është bërë për t’iu ofruar kosovarëve dhe bizneseve të Kosovës të njëjtat mundësi sikur edhe vendeve të tjera të botës, njofton qeveria e Kosovës në një komunikatë për shtyp.

Një rol të rëndësishëm për njohje më të madhe të Kosovës në internet ka luajtuar kongresmeni amerikan, Eliot Engel. Engel shprehet i befasuar nga rritja e shtrirjes së internetit në Kosovë vitet e fundit.

“Jam i lumtur që kam mundur të ndihmoj në kapërcimin e kalimin e hendekut digjital të Kosovës dhe pjesës tjetër të botës së zhvilluar”, ka thënë ai.

Për kryeministrin Hashim Thaçi, njohja nga Facebook-u nënkupton se bizneset kosovare tani mund të prodhojnë fushata të tyre të marketingut, të cilat do t`i mundësojnë avancimin në në tregun e brendshëm.

Kosova i ka përshkallëzuar muajt e fundit përpjekjet e saj për të siguruar përfshirjen e kosovarëve në rrjetet dhe shërbimet ndryshme të internetit në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Diplomaci Dixhitale, e cila synon integrimin e vendit në rrjetet e komunikimit global.

Top Channel