Tregjet amerikane patën ditën e tyre më të mirë, që prej janarit 2013.
Indekset kryesore të aksioneve shënuan rekorde të reja; “Dow Jones”-i u ngrit për të parën herë në mbi 16,000 pikë dhe “Standard and Poor’s 500” kaloi pragun e 1,800 pikëve.
Optimizmin e agjentëve të bursave e ushqen perspektiva e vazhdimit të politikave të “parasë së lirë” nga Banka Qendrore “Federal Reserve”.
Normat më të ulta të interesit nënkuptojnë se investitorët janë të prirur të derdhin parà, aty ku do të fitojnë më shumë në këmbim.
Në Shtetet e Bashkuara, ato janë pothuajse zero e priten të mbeten të tilla.
Ndonëse presidenti aktual i Rezervës Federale, Ben Bernanke, po përgatitet të lërë postin me përfundimin e mandatit, Janet Yellen, që do të zërë vendin e tij, me të gjithë gjasat do ta vazhdojë injektimin e dollarëve, për sa kohë ekonomia amerikane do të jetë e brishtë.
Në fillim të muajit u njoftua rritje ekonomike me një ritëm vjetor më të shpejtë nga sa pritej, 2,8% në tremujorin e tretë. Edhe pse modeste, ajo ishte gati sa dyfishi i shifrës së parashikuar nga ekspertët, e nxitur – siç u tha – nga shpenzimet më të mëdha të konsumatorëve, shtimi i eksporteve dhe shtimi i investimeve të korporatave.
Megjithatë, shifrat e fundit treguan gjithashtu një nivel papunësie te 7,3%, në një kohë kur, jo më larg se muaji shtator, ai ishte 7,2%.
Top Channel