Promovohet “Pema e Jeniçerëve”

18/11/2013 00:00

Shtëpia botuese “Saras”, vjen pranë publikut këtë radhe me një libër të veçantë të titulluar “Pema e Jeniçerëve”, i cili u promovua në mjediset e Ministrisë së Kulturës këtë të hënë.

Autori  britanik, Jason Goodwin, sjell për lexuesin një libër triller, i cili ndërthurr më së miri faktet historike, shumë prej të cilave të lidhura me personazhe shqiptare me një ngjarje ku zhbirohet natyra komplekse e pushtetit dhe seksualitetit në Stambollin e shekullit të XIX nga një dedektiv me emrin Jashim.

“Në vepër ka një kombinim mes marrëdhënies historike dhe thrillerit, ku lexuesi shqiptar që do të marrë në dorë këtë libër do të njihet me personalitete të historisë shqiptare, që kanë kontribuar për historinë e zhvillimet politike në Perandorinë Osmane”, deklaroi Bajram Peçi, drejtues i shtëpisë botuese “Saras”.

Për vetë autorin, i cili ka studiuar histori bizantine në Universitetin e Kembrixhit, Stambolli dhe Perandoria Osmane kanë qenë një nga gjërat që i kanë dhënë shtysë imagjinatës më së shumti, duke rezultuar në libra si “Guri i Gjarprit” apo “Karta Bellini”, në të cilat haset gjithashtu personazhi i dedektivit Jashim.

“Duhet të shkruaja një  histori që lidhej me diçka që e njihja dhe e dija se doja të shkruaja një histori krimi apo triller. Kur u mendova, gjëja që njihja më mirë ishte Perandoria Osmane.  Ky nuk është një libër historik, megjithatë ka elementë të shumtë historikë në të.  Doja që skenari i tij të ishte i mirë në mënyrë që t’i tërhiqte njerëzit kur ta lexonin, për këtë arsye mund të sakrifikoja edhe pak gjëra të lidhura me të vërtetat historike. Por, duke e shkruar kete liber zbulova  se ndryshe nga sa eshte te shkruash nje liber teresisht historik,  mund te shtosh ne nje novele  edhe gjera te cilat jo domosdoshmerisht i shtohen nje libri faktesh. Me personazhe si ai i supeberesit shqiptar plak qe sherben ne Perandorine Osmane dhe me pare ka qene jeniçer, mund te shpjegoj pak edhe  mbi kujtimet  me emocione te perziera te jeniçereve”, komentoi autori i kësaj vepre.

Top Channel