Pakti SHBA-Afganistan në udhëkryq

18/11/2013 00:00

Qeveria afgane ka refuzuar një propozim kyç të marrëveshjes së sigurisë me Shtetet e Bashkuara, duke vënë në dyshim të gjithë paktin vetëm pak ditë para se liderët tribalë afganë të mblidhen për të diskutuar çështjen.

Qeveria në Kabul po refuzon t’u lejojë forcave amerikane që të hyjnë në shtëpitë afgane në fund të operacioneve luftarake që mbarojnë vitin e ardhshëm.

Negociatorët po përpiqen të hartojnë një dokument të pranueshëm nga të dyja palët, për t’ua prezantuar liderëve afganë ditën e martë. Nëse nuk ka një marrëveshje, Uashingtoni mund t’i tërheqë të gjitha trupat vitin e ardhshëm.

Një zëdhënës i presidentit afgan Hamid Karzai tha për BBC se për momentin nuk ka fare fleksibilitet në qëndrimin e marrë nga qeveria e Kabulit ndaj forcave amerikane, në lidhje me mundësinë e hyrjes së tyre në shtëpitë dhe xhamitë afgane.

Ai tha se Karzai është shumë i vendosur në këtë drejtim dhe nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që do t’u mundësojë forcave amerikane atë që ai e quan “qëllimi i agresionit”.

Presidenti Karzai dhe liderë të tjerë afganë prej kohësh kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj sulmeve të tilla të trupave aleate në shtëpitë afgane. Por Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të mund ta ushtrojnë këtë të drejtë me qëllim parandalimin e sulmeve terroriste që vijnë nga Afganistani.

Amerikania “New York Times”, që citon një oficer afgan, thotë se komandanti i trupave amerikane në Afganistan, gjenerali Joseph Dunford, u ofrua i gatshëm ta modifikonte këtë pjesë të marrëveshjes, duke propozuar lejimin e hyrjes nëpër shtëpi “në raste të jashtëzakonshme”. Por oferta është refuzuar nga zoti Karzai.

Top Channel