Edhe në komunën e Mitrovicës Veriore do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve më 1 dhjetor.
Rezultatet pas rivotimit të së dielës tregojnë se asnjëri nga pesë kandidatët nuk ka marrë mbi 50 përqind të votave.
Kështu, më shumë vota fitoi kandidati i Listës Serbe, Kërstimir Pantiç, gjithsej 2173. Ai pritet të përballet me kandidatin e Partisë Social-Demokrate, Oliver Ivanovic, i cili mori 1673 vota.
Zyrtarët e KQZ-së thonë se numërimi i votave të rregullta ka përfunduar. Por, janë gjithsej 900 vota me kusht, të cilat janë ende në proces numërimi.
Në garën për kryetar të Mitrovicës Veriore garoi edhe kandidati i PDK-së, Agim Deva. Rezultatet tregojnë se Deva është i treti, pasi ka marrë 1190 vota.
Ndërsa shefja e zyrës administrative, Adriana Hoxhiç, ka fituar 698 vota. Në rivotimin e 17 nëntorit morën pjesë 22 përqind e votuesve. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet në 25 komuna të Kosovës.
***
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger ka përshëndetur përmbylljen e qetë të votimit në tri qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut.
“Me miratim të KQZ-së, OSBE-ja dhe komisionet e vendvotimeve e kanë paketuar tërë materialin zgjedhor dhe në këtë moment, anëtarët e vendvotimeve si dhe materiali zgjedhor u transferua në qendrën e KQZ-së për Numërim dhe Rezultate në Prishtinë, ku edhe po numërohen votat”, tha Schlumberger në orën 20:45.
OSBE-ja po i lehtëson zgjedhjet në katër komuna të veriut të Kosovës, në pajtim me marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit të datës 19 prill, të ndërmjetësuar nga BE.
Ndërsa EULEX në një komunikatë për shtyp jep një vlerësim paraprak se Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i i kanë përmbushur detyrat e tyre në mënyrë efikase në terren gjatë zhvillimit të këtij procesi.
Ata kanë vepruar në mënyrë efikase për të garantuar sigurinë e votuesve, të anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit dhe të lehtësuesve të zgjedhjeve nga OSBE-ja.
Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i, në rolet e tyre si reagues të parë, të dytë dhe të tretë, e kanë mbrojtur mjedisin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, në pajtim me mandatin e tyre, thuhet në një komunikatë.
“Jam shumë i kënaqur që procesi i votimit dje u krye në mënyrë të qetë, pa incidente të mëdha, duke iu ofruar mundësi qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Bashkërendimi ndërmjet EULEX-it, PK-së, KFOR-it dhe OSBE-së ishte i shkëlqyeshëm”, tha Bernd Borchardt, shefi i misionit EULEX në Kosovë.
Top Channel