Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian e që ka nisur në maj të vitit 2011, ka qenë i suksesshëm në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Progres i theksuar vërehet në lirinë e lëvizjes dhe tregti. Kështu u vlerësua në prezantimin e një raporti politikash nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Lulzim Rafuna, drejtor i Doganave të Kosovës, tha se oficerët doganorë kosovarë tashmë kanë kompetenca të plota në të gjitha pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Përveç masave për kontrollin e mallrave, po bëhet edhe kontrolli i legjislacionit të Kosovës për zhdoganimin e mallrave, që ato të zhdoganohen në Mitrovicë. E kemi situatën nën kontroll”, deklaroi Rafuna.

Për lirinë e lëvizjes mes dy shteteve foli edhe drejtori i Policisë Kufitare të Kosovës, Shaban Guda. Ai bëri të ditur se zyrtarët kufitarë janë prezent në 6 pikat kufitare me Serbinë, përfshirë pikat 1 dhe 31, dhe funksionojnë njësoj sikurse në pikat kufitare me shtetet e tjera.

“Kemi bërë një thjeshtësim të proçedurave. Kemi një shpejtësi në shkëmbimin e informatave dhe një siguri më të madhe. Kemi rezultate të mira sepse ka një koordinim të shkëlqyer”, deklaroi Guda.

Në bazë të kësaj analize, tarifat e larta për sigurime dhe variacionet e targave të automjeteve komplikojnë lirinë e lëvizjes dhe si të tilla duhet të rishqyrtohen. Në anën tjetër duhet të negociohet edhe çështja e transportit hekurdhor dhe trafikut ajror.

Pikëkalimet kosovare dhe ato serbe janë tanimë funksionale dhe embargot janë hequr duke i lejuar mallrat të kalojnë pa pengesa mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo rezultoi me një rritje të qëndrueshme të eksportit nga Kosova drejtë Serbisë.

Top Channel