Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bashkimin Europian, Catherine Ashton vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesshme që u përsëritën këtë të dielë në veri të Mitrovicës, ku mbrizotëron pakica serbe.

“Para së gjithash, jam e kënaqur me rezultatin paraprak të zgjedhjeve të përsëritura në veri të Mitrovicës, të cilat shkuan qetë dhe ne jemi në pritje për të marrë vesh publikisht rezultatin e saktë përfundimtar. Kjo është një pjesë e rëndësishme për ecjen përpara të Serbisë e Kosovës”, deklaroi Ashton.

Dy javë më parë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së vlerësoi se procesi i rregullt zgjedhor u dëmtua nga shfaqjet e dhunës në disa qëndra votimi në veri të Mitrovicës dhe kërkoi nga autoritetet vendore hetim të menjëhershëm për këto incidente.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel