Rreth 23 mijë qytetarë me të drejtë vote i drejtohen këtë të dielë kutive të votimit në Mitrovicën e Veriut, në ripërsëritjen e zgjedhjeve vendore në tre njësi bashkiake.

Zgjedhjet e datës 3 Nëntor u shënuan nga parregullsi të shumta, kur serbë të maskuar hodhën gaz lotsjellës jashtë qendrave të votimit, thyen disa prej kutive dhe penguan anëtarët e pakicës serbe që të regjistronin votën e tyre.

Policia e Kosovës ka marrë masa të rrepta sigurie në të gjithë Kosovën e Veriut, me qëllim që të garantojë mbarëvajtjen e votimeve, në të cilat pjesëmarrja përsëri nuk pritet të jetë e lartë.

Shumica e liderve vendorë serbë janë shprehur për bojkot, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të Beogradit për të marrë pjesë të shumtë në këto zgjedhje që legjitimojnë prezencën e autoriteteve kosovare edhe në Veri.

Në rast se do të rrezikohet procesi zgjedhor apo siguria e votuesve, stafit dhe vëzhguesve në qendrat e votimit, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i paralajmërojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Kësaj radhe popullata në veri të Mitrovicës pritet të pëprballet me prani të zgjeruar të policisë jashtë qendrave të votimit, të mbështetura dukshëm nga EULEX-i.

Ndërkohë, KFOR-i do të jetë i pranishëm në afërsi të qendrave të votimit dhe në fusha të tjera kyçe, në mënyrë që të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, sipas mandatit të tyre.

Ndër të tjera, KQZ të shtunën ka bërë një plan B për numrimin e votave të veriut në qendrën e numërimit në Prishtinë. Kjo do të ndodhë vetëm në rast se numrimi i tyre nuk do të mund të bëhet në vendvotime në veri.

Presidentja kosovare Atifete Jahjaga ka ftuar qytetarët të dalin në votime, duke thënë se secili qytetar duhet të ketë siguri për të shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për të votuar në mënyrë të lirë dhe pa frikë.

Ndërkohë, kryeministri serb Ivica Daçiç gjatë një tubimi të premten në Mitrovicën e veriut iu rikujtoi banorëve të atjeshëm se pjesëmarrja në zgjedhje do të vendosë nëse veriun do ta drejtojë një krytar serb, apo një shqiptar. Mes tjerash Daçiç përcolli mesazhe si: “Serbia nuk do ta lëshojë kurrë veriun e Kosovës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA