Napoli, protestë kundër ndotjes

17/11/2013 08:40

Dhjetëra mijëra qytetarë të Napolit manifestuan masivisht kundër depozitimit të mbeturinave toksike në krahinën e tyre pasditen e së shtunës, një akt për të cilin fajësohet mafia vendase.

Protestuesit mbanin në duar fotografi të të afërmve, të cilët sipas tyre kanë ndërruar jetë për shkak të kancerave të shkaktuar prej ndotjes.

Për napolitanët, zona midis Napolit dhe Kasertës është shndërruar në “Trekëndëshin e Vdekjes”, për shkak të gazrave që çlirohen nga djegia e lëndëve toksike.

Rreth 10 milionë tonë mbetje industriale raportohet të jenë depozituar në krahinën e Kampanjës gjatë 20 viteve të shkuara.

Grupi mjedisor i “Legaambiente”, i cili organizoi protestën e ditës së shtunë, deklaroi se rreth 440 biznese në Italinë Qendrore dhe Veriore kanë marrë pjesë në këtë krim kolektiv kundër qytetarëve të Napolit dhe zonave përreth.

“Është thelbësore që përveç zgjidhjes së problemit të mbetjeve toksike, të identifikohet edhe kush është përgjegjës për këtë krim”, deklaroi drejtoresha e organizatës ambientale, Rosella Muroni, për “Associated Press”.

Top Channel