Të paktën për një ditë të vetme, veriu i Mitrovicës u mbush me forca të rendit të cilat u përpoqën të garantonin siguri të plotë. Nga 30 policë të Kosovës e dhjetëra të tjerë ndërkombëtarë u vendosën pranë tri objekteve shkollore në veri, të cilat më 17 nëntor u kthyen në qendra votimi për serbët e atjeshëm.

Organizata ilegale e Serbisë, “Mbrojtja Civile” po kështu ishte e pranishme pranë qendrave të votimit. Në këtë atmosferë, aspak të ngjajshme me një proces normal zgjedhor, por garant i sigurisë, serbët iu drejtuan masivisht kutive të votimit. Serbët, siç dukej, e kishin marrë shumë pozitivisht mesazhin e liderëve të Beogradit për të dalë në rivotimin e 17 nëntorit.

Grupi i xhirimit i Top Channel vizitoi shkollën “Shën Sava” dhe mundi të konstatonte se numri i votuesve ishte shumë i madh. Qytetarët në përgjithësi hezitonin të flisnin para kameras. Ata madje nuk donin as të filmoheshin në momentet e votimit.

Megjithatë, dy prej tyre, në pyetjen e Top Channel se çfarë presin nga këto zgjedhje, u shprehën se i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së shtetit serb për të votuar dhe se e duan ndryshimin.

“Zgjedhjet janë një detyrim qytetar natyrisht. Duhet të votohet. Nëse shteti bën thirrje, atëherë ne i përgjigjemi ftesës. Por gjithashtu do duhej të vendosej rendi. Mjaft më me këta. Nuk ka kuptim që i gjithë populli të vuajë për shkak të disa personave. Une shpresoj për më mirë”, tha një grua.

“Rroftë Serbia. Rrofte liria. Unë pres mirë, ndoshta mjaft të këqija kam përjetuar. Tani do të votoj me gëzim dhe shpresë. Sa i përket Mitrovicës, mendoj që njerëz më të mençur se unë dinë më mirë të japin përgjigje”, tha një burrë në moshë të thyer.

Në vëzhgimin që Top Channel bëri në tri qendrat e votimit vihej re se siguria e gjithë procesit ishte në rend të parë. I vogël ishte numri i vëzhguesve nëpër vendvotime dhe përveç anëtarëve të OSBE-së nuk kishte logo të tjera të institucioneve monitoruese. Ishin të pakët në numër edhe shqiptarët e angazhuar në këtë proces. Edhe ata refuzuan të flisnin.

Nga ky proces votimi zgjidhet për herë të parë kryetari i Mitrovicës Veriore, e cila, ashtu siç parashihet në pakon e Ahtisarit, do të funksionojë ndaras nga Mitrovica e Jugut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA