Serbët e Mitrovicës veriore i përgjigjen në mënyrë masive procesit të rivotimit në tri qendra votimi. Radhë të gjata votuesish janë krijuar që në orët e paradites.

Ndryshe nga votimet e 3 Nëntorit, këtë herë edhe numri i forcave të rendit është shumë më i lartë. Shkolla e Mesme Teknike, ajo e Mjekësisë dhe Shën Sava (3 qendrat e votimit) janë të rrethuara nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Përveç tyre, për të parandaluar atë që ndodhi më 3 nëntor kujdesen edhe policia e EULEX-it dhe KFOR-i, gjithashtu pjesëtarë të Mbrojtjes Civile, organizatë ilegale e sigurisë në Kosovë për të cilën ka pasur marrëveshje që të largohet nga Veriu.

Rivotimi në veri ka zgjuar interesim të madh të institucioneve vendore e ndërkombëtare, por edhe atyre të Beogradit. Në veri erdhi sot ministri i qeverisë serbe, Aleksander Vulin. Ai vizitoi shkollën Shën Sava dhe i ftoi serbët që të dalin në votime.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, vizitoi tri qendrat e votimit. Në një deklaratë për Top Channel ai vlerësoi pozitivisht procesin e votimit, por si vërejtje përmendi mungesën e vëzhguesve të huaj dhe vendorë. Në fakt, të pranishëm në vendvotime u panë vetëm vëzhguesit e OSBE-së.

Qytetarët në përgjithësi hezitojnë të flasin para kameras, madje nuk duan as të filmohen. Sidoqoftë, dy prej tyre në pyetjen e Top Channel se çfarë presin nga këto zgjedhje shprehen se i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së shtetit serb për të votuar dhe se duan ndryshimin.

Sipas të dhënave nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, dalja e votuesve në zgjedhje deri në orën 11:00 në tri qendrat e votimit në komunën e Mitrovicës së Veriut është 7.10% ose 1 660 votues.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote është 23 mijë.

Top Channel