Nën masa të rrepta sigurie pritet të zhvillohet procesi i rivotimit të dielën në tri qendra në veri të Mitrovicës. Rreth 23 mijë qytetarë me të drejtë vote pritet të dalin të për rivotim në keto tri qendra votimi.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka deklaruar se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë dhe se kësaj radhe nuk do të tolerohet dhuna.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i tashmë kanë miratuar planin operacional. Në këtë mënyrë organet e sigurisë pritet të sigurojnë përgjegjësit e procesit të zgjedhjeve në vendvotime nga OSBE-ja, që jo vetëm të mund të kryejnë punën e tyre por që dhe procesi i votimit të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe të rregullt.

Në rast se do të rrezikohet procesi zgjedhor, apo siguria e votuesve, stafit dhe vëzhguesve në qendrat e votimit, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i paralajmërojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Kësaj radhe popullata në veri të Mitrovicës pritet të pëprballet me prani të zgjeruar të policisë jashtë qendrave të votimit, të mbështetura dukshëm nga EULEX-i.

Ndërkohë, KFOR-i do të jetë i pranishëm në afërsi të qendrave të votimit dhe në fusha të tjera kyçe, në mënyrë që të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, sipas mandatit të tyre.

Ndër të tjera, KQZ të shtunën ka bërë një plan B për numrimin e votave të veriut në qendrën e numërimit në Prishtinë. Kjo do të ndodhë vetëm në rast se numrimi i tyre nuk do të mund të bëhet në vendvotime në veri.

Presidentja kosovare Atifete Jahjaga ka ftuar qytetarët të dalin në votime, duke thënë se secili qytetar duhet të ketë siguri për të shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për të votuar në mënyrë të lirë dhe pa frikë.

Ndërkohë, kryeministri serb Ivica Daçiç gjatë një tubimi të premten në Mitrovicën e veriut iu rikujtoi banorëve të atjeshëm se pjesëmarrja në zgjedhje do të vendosë nëse veriun do ta drejtojë një krytar serb, apo një shqiptar. Mes tjerash Daçiç përcolli mesazhe si: “Serbia nuk do ta lëshojë kurrë veriun e Kosovës”.

Rivotimi në tri qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut është pasojë e dhunës së disa grupeve serbësh ditën e zgjedhjeve, më 3 nëntor, të cilët penguan dhe dëmtuan materialin zgjedhor në këto qendra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA