
Shefi i misionit EULEX, Bernd Borchardt ka përfunduar vizitën në Beogard, ku ka pasur takime me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç dhe zëvendëskryeministrin e parë, Aleksandar Vuçiç.
Mes çështjeve të diskutuara më e rëndësishmja ka qenë siguria lidhur me zgjedhjet e së dielës në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Së bashku me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, EULEX-i do të bëjë që vendvotimet, anëtarët e komisionit, lehtësuesit e OSBE-së dhe votuesit të jenë të sigurt më 17 nëntor”, ka thënë Borchardt.
Ai ka shtuar se, “njerëzit mund të presin prani më të madhe të pjesëtarëve të sigurisë, që do të jenë të gatshëm të reagojnë menjëherë, nëse paraqitet ndonjë kërcënim për sigurinë”.
Në një njoftim të misionit EULEX thuhet se bisedimet që zoti Borchardt ka pasur me partnerët në Beograd ishin shumë të dobishme dhe ai ka mbetur i kënaqur me to.
Gjatë vizitës në Serbi, shefi i misionit EULEX është takuar edhe me delegacionin e BE-së në Beograd, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe me mediat.
Top Channel