
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi për herë të parë rezultatet për tri komunat në veri të Kosovës. Edhe në Leposavic, Zubin Potok dhe Zveçan qysh në raundin e parë doli fituese lista serbe. KQZ-ja nuk e publikoi rezultatin e zgjedhjeve për Mitrovicën Veriore me arsyetimin se me 17 nëntor do të përsëritet votimi në tri qendra votimi. Por atje kryeson Agim Deva i PDK-së.
Zgjedhjet lokale në Kosovë nuk përfundojnë me publikimin e rezultateve përfundimtare. Nga 38 komuna, 24 do të shkojnë në balotazh në të cilat qytetarët e Kosovës duke u nisur nga kryeqytetasit do të votojnë sërish me 1 dhjetor.
Komunat fituese pa balotazh janë Decani, Drenasi, Skënderaj, Istogu, Kacaniku, Fushë-Kosova, Podujeva, Skënderaj, Shtimja, Mamusha, Hani i Elezit dhe tri komunat veriore.
Përvec kandidatëve me numër të madh të votave, këto zgjedhje nxorën edhe kandidat me shumë pak vota. P.sh kandidati i pavarur për Shtimen Isuf Muslia ka marrë vetëm 59 vota. Në rang Kosove kandidati me më së shumti vota është Isa Mustafa i LDK-së me 36 mijë e 755 vota. Pas tij vjen Ramadan Muja i PDK-së me afër 25 mijë vota si dhe Mimoza Kusari Lila me po kështu 25 mijë vota në garën e saj për Gjakovën. Ndërsa më i votuari në përqindje brenda komunës së tij ka qenë kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku.
Raundi i parë i zgjedhjeve ka treguar që në disa nga komunat e mëdha në Kosovë mund të ndërrohet pushteti. Në Gjilan e para ka dalë LDK-ja duke lënë prapa PDK-në e cila ka udhëhequr me këtë komunë për dy mandate. Ngjashëm ka ndodhur edhe në Pejë e Gjakovë të cilat konsiderohen bastione të AAK-së. Por qytetarët kësaj radhe votuan më shumë në Pejë për kandidatin e LDK-së e në Gjakovë për kandidatn e AKR-së.
Kandidati i LDK-së, Isa Mustafa ndërkaq ka shkuar në balotazh me kandidatin e Vetëvendosjes për herë të parë pas 2007-ës.
Top Channel