Libi, protesta kundër milicive, mbi 40 viktima

15/11/2013 23:10

Më shumë se 43 persona kanë vdekur dhe 235 të tjerë janë plagosur në Tripoli, bëjnë të ditur autoritetet, pasi një i armatosur hapi zjarr ndaj protestuesve, të cilët po bënin thirrje ndaj grupeve të armatosura të largoheshin nga Tripoli.

Demonstratat e së premtes erdhën pas thirrjeve të Imamëve gjatë lutjeve javore të muslimanëve, kundër grupeve të armatosura dhe ish-luftëtarëve që refuzuan të çarmatoseshin dhe që përbëjnë një sfidë të rrezikshme për qeverinë qendrore, 2 vite pas rrëzimit të Mouammar Gaddafi, pas trazirave të mbështetura nga NATO.

Qindra persona që mbanin flamuj të bardhë, si shenjë e paqes, ashtu sikurse dhe flamurin kombëtar, kënduan himnin kombëtar teksa marshonin dhe u mblodhën në sheshin Meliana të kryeqytetit.

Më pas, ata marshuan drejt selisë së grupit të armatosur “Misrata”, në distriktin Gharghour, për t’u bërë të ditura kërkesat e tyre, por një i armatosur hapi zjarr ndaj tyre.

Kundrejt sfondit të përleshjeve, kryeministri libian Ali Zeidan, tha se të gjitha grupet e armatosura duhet të largohen nga Tripoli, pa përjashtim.

“Ekzistenca e armëve jashtë ushtrisë dhe policisë është e rrezikshme”, tha Zeidan për reporterët, të premten. “Të gjitha milicitë e armatosura duhet të largohen pa përjashtim nga Tripoli.

Rezidentët në Tripoli demonstrojnë shpesh kundër grupeve të armatosura, të cilët kanë refuzuar thirrjet për largim nga kryeqyteti, të bëra nga një qeveri e dobët qendrore.

Libia është përpjekur të bashkëpunojë me grupe të ndryshme, duke i ofruar atyre paga qeveritare dhe duke i punësuar si ofrues sigurie në Tripoli apo qytete të tjera. Por, të armatosurit zakonisht i qëndrojnë besnikë komandantëve të tyre, kur vjen puna te krahasimi me autoritetet.

Përplasje mes grupeve rivale ka ende në kryeqytet, ku forcat e sapolindura të armatosura të Libisë janë ende në trajnim dhe nuk mund të sfidojnë grupet e armatosura rëndshëm.

Top Channel