Ipeshkvit, kundër armëve kimike në Shqipëri

15/11/2013 00:00

Në mbështetje të shoqërisë civile edhe Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare
është shprehur kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri.

Qëndrimi i tyre është bërë gjatë konferencës që është zhvilluar në datat 12-13 nëntor 2013, ku të pranishëm ishin të gjithë ipeshkvit e Shqipërisë, Tivarit dhe Kosovës, e cila u drejtua nga imzot Angelo Massafra.

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë deklaroi se gjatë dy ditëve u zhvillua në Tiranë Asambleja e zakonshme e Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare. Ipeshkvijtë trajtuan çështje me rëndësi për jetën e Kishës Katolike në Shqipëri, ndërkohë që në fjalën e tij hapëse, imzot Angelo Massafra, president i KISH-it, bëri një përmbledhje të veprimtarive të zhvilluara në këtë vit, sipas programit dhe vendimeve të plenares së një viti më parë.

Në fillim të punimeve përshëndeti edhe nunci apostolik në Shqipëri SH.T. imzot Ramiro Moliner Ingles, ndërkohë që një çështje e diskutuar ishte edhe ajo e armëve kimike. Sipas njoftimit për shtyp të KISH-it, një ndër pikat kryesore që u trajtuan gjatë kësaj asambleje ishte importimi nga Siria i armëve kimike për shkatërrim që këto ditë shqetëson opinionin publik, fakt mbi të cilin Konferenca Ipeshkvnore shprehet kundër. “KISH bashkohet me shqetësimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke pasur parasysh pasojat që mund të kenë armët kimike në shëndetin e popullit dhe në ambientin”, deklarohet në njoftimin zyrtar të KISH-it. Kjo është hera e parë që përfaqësuesit e fesë dalin kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri, duke iu bashkuar qëndrimit të shumë qytetarëve të këtij vendi, të cilët kanë protestuar gjatë ditëve të fundit, me qëllim që qeveria të tërhiqet nga negociatat për këtë proces.

Myftinia e Shkodrës kundër armëve kimike

Myftinia e Shkodrës ka dalë kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri. Gjatë një deklarate për median, myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari ka deklaruar se, “të mos prezantohemi si popull me imazh servil që pranon gjithçka, madje edhe kompromise në dëm të asaj që zoti ka dhënë”. Sytari ka kërkuar që “të rritet ndjeja e krenarisë kombëtare”. “Jemi këtu për të mbjellë jetë dhe shprese”, ka thënë muftiu Muhamet Sytari.

Top Channel